Kapiteni Zguro ndan rrugët me Pogradecin: Barra ra mbi mua dhe nuk është e drejtë, i zhgënjyer nga mënyra se si…
Kapiteni Vangjel Zguro njofton largimi nga Pogradeci. Përmes një shkrimi në rrjetet sociale, ai shkruan se ka dhënë gjithçka për liqenorët dhe nuk është dorëzuar kurrë. Ndër të tjera i uron skuadrës suksese në vazhdim dhe bën të ditur se tani është koha për një kapitull të ri.

NJOFTIMI I PLOTË
Pas 10 vitesh karriere larg qytetit tim, u riktheva me shumë dëshirë për të dhënë maksimumin për Pogradecin.
Që nga dita e parë, jam munduar të jap 100% nga vetja. Edhe në momente të vështira dhe kur kam qenë i dëmtuar, nuk jam dorëzuar dhe kam hyrë në fushën e lojës, sepse kështu jam unë ,nuk dorëzohem. Për mua përgjegjësia dhe respekti ndaj fanellës kanë qenë mbi gjithçka.
Në momentin që u bëra pjesë e ekipit në janarin e kaluar, arritëm deri në play-off me Tiranën. Edhe pse fati nuk ishte në anën tonë, nuk u dorëzuam dhe provuam përsëri këtë sezon.
Një nga momentet më të vështira për mua ishte penalltia e humbur në ndeshjen me Laçin ,penalltia ime e parë e humbur në kampionatin shqiptar. Ishte një moment që më dhemb shumë, sepse gjithmonë kam dashur më të mirën për ekipin dhe tifozët.
Megjithatë, ajo që më ka zhgënjyer është mënyra si u trajtua ai moment. Në vend që përgjegjësia të ndahej si në çdo ekip, u zgjodh që barra të binte vetëm mbi mua. Kjo është diçka që nuk e konsideroj të drejtë, por e pranoj si pjesë e këtij realiteti.
Kush më njeh, e di shumë mirë karakterin tim dhe shpirtin luftarak që kam treguar gjithmonë në fushë. Sakrificat dhe përkushtimi im nuk mund të zbehen nga një moment i vetëm apo nga interpretimet e të tjerëve.
Nuk kam asgjë personale me presidencën dhe i falënderoj për korrektësinë e treguar ndaj meje. I uroj Pogradecit shumë suksese në vazhdim dhe më vjen keq që nuk arritëm objektivin e Superligës gjatë kësaj periudhe.
Falënderoj nga zemra tifozët për mbështetjen. Kërkoj ndjesë për atë moment të vështirë, por shpresoj që të jenë krenarë për gjithçka kam dhënë në fushë për këtë fanellë.
Kështu e kam nisur këtë sport, me ndershmëri dhe përkushtim, dhe kështu dua ta vazhdoj.
Tashmë është koha për një kapitull të ri.
Me respekt,
Vangjel Zguro
PANORAMASPORT.AL













