Ka fituar ndeshjen e fundit në Ballsh në vitin 2003, Dinamo sfidon “makthin” Bylis

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2025 | 9:21

Ka fituar ndeshjen e fundit në Ballsh në vitin 2003, Dinamo sfidon “makthin” Bylis

Dinamo ka një sfidë shumë delikate ditën e sotme, ku do të udhëtojë në drejtim të Ballshit, për t’u përballur me Bylisin.

dinamoooo

Këta të fundit, janë një skuadër që dinë të hapin probleme, sidomos në fushën e tyre dhe Dinamo, e di mirë këtë gjë. Në sfidat e fundit që janë luajtur në Ballsh, Dinamo nuk ka arritur të fitojë në 10 ndeshjet e fundit të kampionatit mes Kategorisë së Parë dhe Superiores, teksa fitorja e fundit daton në vitin 2003, kur Dinamo fitonte me rezultatin 2-5. Që nga ajo ndeshje, janë luajtur edhe 9 sfida të tjera ku asnjëra prej tyre nuk është fituar nga Dinamo, madje të gjitha i ka fituar Bylisi.

GJENDJA E SKUADRËS- Dinamo do të jetë me mungesa në sfidën e sotme, ku të konfirmuar mbeten Bruno Dita, Naser Aliji dhe Bernard Berisha. Dita ka pasur përmirësim në ditët e fundit, megjithatë stafi teknik nuk do ta rrezikojë pasi mund ta humbasë për një periudhë më të gjatë në vazhdim. Aliji është në Gjermani pasi i është nënshtruar operacionit për pubalgjinë dhe do të mungojë për rreth 2 muaj, ndërkohë që Berisha pritet të rikthehet pas 2 javësh me skuadrën pasi ka pësuar tërheqje në sfidën ndaj Elbasanit.

FORMA E SKUADRËS- Dinamo nuk po kalon një moment të mirë dhe për fazën e dytë, ende nuk e ka shijuar fitoren e parë. Në 3 sfidat që janë luajtur deri më tani, blutë kanë barazuar me Teutën, kanë humbur ndaj Vllaznisë dhe morën një tjetër barazim ndaj Elbasanit javën e shkuar. Sot në Ballsh, skuadra e Dajës kërkon që t’i japë fund kësaj ecurie negative, për të marrë fitoren e parë në fazën e dytë që do të çlironte skuadrën, duke parë që edhe Teuta fitoi dje i hapi jo pak probleme në rrugëtimin drejt “Final 4”.

NDESHJA E PARË- Sfida e parë mes dy skuadrave, u zhvillua në stadiumin “Selman Stërmasi”, aty ku Dinamo nuk mori më shumë se një barazim pa gola. Për “nëndetësen”, ajo ishte ndeshja e parë në Tiranë pas shumë kohësh shtegtim në Elbasan, megjithatë stadiumi nuk i dha shumë fat edhe pse Bylisi luajti për shumë minuta me një lojtar më pak.

KLASIFIKIMI- Dje janë luajtur dy ndeshjet e para të javës së 13-të, teksa sot do të zhvillohen sfidat e tjera. Aktualisht, Dinamo e sheh veten jashtë “Final 4”, pasi Teuta ka fituar ndaj Vllaznisë dhe ka 2 pikë më shumë se Dinamo, por këta të fundit kanë një ndeshje më pak. Nëse Dinamo fiton, hyn sërish në zonën “Final 4”. Nga ana tjetër, Bylisi renditet në vendin e 12 me 12 pikë dhe për ta, fitorja është jetike duke pasur parasysh edhe diferencën e pikëve me rivalët, si Flamurtari e Tirana që janë më poshtë, gjithashtu edhe të tjerat që janë sipër me shumë pak diferencë pikësh.

ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL