Josa shpjegon arsyet e humbjes ndaj Teutës: Momenti i golit të them të drejtën na tronditi pak
Trajneri i Bylisit, Mirel Josa, mendon se ekipi i tij gaboi në qasjen ndaj mënyrës së lojës që kërkohej përballë Teutës, ndaj edhe erdhi kjo humbje.

“Thjesht ishte një ndeshje që u luajt pothuajse nga të dy skuadrat me një vendosje e sistem loje. Ne duhej të ishim shumë më të qetë në pjesën e parë, që kur të fitonim topin, të mos kalonim linjat e topit, sidomos me lëvizjet e anësorëve përpara. Sepse i dhamë mundësinë Teutës që të humbte topin dhe ta fitonte më shpejt në gjysmëfushën tonë. U rregullua diçka në pjesën e dytë, edhe në qarkullim topi. Por momenti i golit të them të drejtën na tronditi pak. Më vjen keq që pas tij duhej të ishim shumë më të qetë, jo me pasime të gjata se edhe terreni nuk lejonte me pasime nga qendra e krahët që t’i bënim presion Teutës.
Problemi nuk është te ndërrimet, është i thjeshtë. I thashë të tre atyre që u futën, të kishte qetësi në mesfushë që të futnim sa më tepër ekipin kundërshtar në presion dhe të ndalnim lojtarin e shpejtë që futi Teuta përpara e na hapi probleme. Duhej të rrezikonim, por nuk kishim pse, se vetëm një qendër sulmi kishte Teuta. Kur qarkullonim topin, thjesht nuk duhet të shkonim me pasime të mesme, por me të gjatë që të bënim presion dhe shkonim në zonën e saj.
Problemi ishte te Malomo. Kishim dy mesfushorë qendre që duhej të mbështetnin më tepër dyluftimet në ajër apo të ulëta të Mustafa. Mendoj se në pjesën e parë duhej të kalonim linjat e kundërshtarit me lëvizjet qoftë të sulmuesit apo gjysmë-sulmuesit që kishim.
Ne kur fitonim topin sidomos djathtas me Kamara, duhej të kalonim linjat, jo në atë pasardhëse, nëpërmjet lëvizjes së sulmuesit apo Malomos, i cili nuk spostohej siç duhet për të fituar topin në linjën mbrojtëse të Teutës.
Keqardhja është gjithmonë kur humb ndeshje. Por janë gjëra që ndodhin në futboll, puna është si t’i rikuperojmë këto gjëra në të ardhmen. Tani që mbaroi ndeshja, nuk kemi çfarë të themi për të ardhmen. Tani mund të themi pse nuk futëm Teutën në presion, nga momenti që patëm një shtrim loje e gradualitet. Në 30 metrat e fundit nuk duhej të shkonim kurrë me topin e gjatë, duhej të kishim thyerje loje nga një krah në tjetrin se për atë arsye i futëm lojtarët”, tha Josa për RTSH pas ndeshjes.
PANORAMASPORT.AL













