Identik në dy fazat e para, Fofana mesazh liqenorëve: Iliria, “thyen mallkimin” e golit
Iliria luan sot në Pogradec, ku në dy fazat e para skuadrat nuk kanë ditur t’i shënojnë njëra-tjetrës, pasi të dyja përballjet kanë përfunduar në barazim 0-0. Të dy ekipet vijnë në këtë duel pas fitoreve respektive në javën e fundit, ndërsa fushëkrujasit triumfuan në derbin ndaj Kastriotit.

25-vjeçari nga Bregu i Fildishtë, Mohamed Fofana, u shpall lojtari i ndeshjes Iliria–Kastrioti. Një trofe simbolik, por sulmuesi u duk mjaft i lumtur, edhe pse goli i fitores u shënua nga Darnell Kithamabo me penallti. Fofana i është bashkuar Ilirisë pas një eksperience trevjeçare në Kosovë, ku ka luajtur për Prishtinën dhe Drenicën, ndërsa po shndërrohet në një pikë referimi për trajnerin Tatanjelo në rolin e qendërsulmuesit. Në shtatë ndeshje të aktivizuara, ai ka shënuar tre gola për Ilirinë dhe ka dhënë edhe një asist. Pas derbit, për “Panorama Sport”, u shpreh: “Jam shumë i lumtur për vlerësimin si lojtari i ndeshjes. Është një shtysë për të ecur edhe më shumë në rrugën profesionale të karrierës sime.”

Mbresat në Shqipëri dhe Kosovë
“Është hera e parë që vij në Shqipëri dhe po më pëlqen shumë. Njerëzit janë të mrekullueshëm dhe tregojnë respekt. Kam luajtur edhe në Kosovë, ku kampionati është më i ashpër. Kam kujtime shumë të mira si te Prishtina, ashtu edhe te Drenica.”
Vlerësimi për Ilirinë
“Kemi një ekip shumë të mirë, me lojtarë cilësorë në çdo repart. Besoj se deri tani skuadra po ecën në rrugën e duhur dhe jemi brenda objektivave të klubit. Mendoj se me këto cilësi do të mund ta ruajmë pozitën e vendit të katërt. Premtoj të bëj detyrën time si qendërsulmues dhe të shënoj sa më shumë gola për ecurinë e ekipit. Shpresoj ta tregoj këtë edhe në ndeshjen e radhës në Pogradec”, përfundoi Fofana.
ABDULLA DUSHKU- PANORAMASPORT.AL













