Formacioni që zbërtheu Elbasanin nuk preket, Dede shmang eksperimentet tek Egantia për duelin që mund ta afrojë me titullin
Tek Egnatia ekziston bindja se ndaj Vllaznisë duhet të përsëritet e njëjta formulë që solli suksesin ndaj Elbasanit. Në këtë fazë të sezonit nuk ka më vend për eksperimente apo spektakël.

Objektivi është vetëm rezultati dhe rrogozhinasit duan një ndeshje pragmatike, të menaxhuar me kujdes nga minuta e parë deri në fund. Në kampin rrogozhinas janë të vetëdijshëm se përballje të tilla fitohen me durim, qetësi dhe efikasitet. Pikërisht kjo u pa edhe në ndeshjen e fundit, ku Egnatia arriti të godiste në momentin e duhur dhe më pas administroi avantazhin me shumë maturi. Tani synimi është i njëjtë. Të gjendet goli i parë sa më shpejt dhe më pas skuadra të luajë me qetësinë që e karakterizon në javët e fundit.
ÇELËSI I SUKSESIT – Brenda stafit teknik besohet se goli i parë mund të vendosë shumë për fatin e takimit. Për këtë arsye, Egnatia pritet ta nisë sfidën me intensitet të lartë, duke kërkuar të godasë që në pjesën e parë. Një avantazh i hershëm do t’i jepte skuadrës më shumë hapësira dhe mbi të gjitha mundësinë për ta kontrolluar ritmin e lojës.
Në ndeshje të tilla, ku presioni është maksimal, Egnatia nuk kërkon të marrë rreziqe të panevojshme. Ideja është e qartë: të shfrytëzohen momentet më të mira, të goditet kundërshtari në kohën e duhur dhe më pas të menaxhohet loja me inteligjencë. Pikërisht ky pragmatizëm ka bërë diferencën për rrogozhinasit në javët e fundit.
Ndaj Elbasanit, skuadra e Nevil Dede tregoi se di të fitojë edhe duke prodhuar spektakël, por ndaj shkodranëve nuk kërkohet një gjë e tillë. E rëndësishme ishte që ekipi dukej i ekuilibruar, i qetë dhe shumë praktik në mënyrën sesi interpretoi ndeshjen. Të njëjtën gjë kërkon trajneri edhe ndaj Vllaznisë.
FORMACIONI NUK PREKET – Duke parë paraqitjen pozitive në ndeshjen e fundit, gjithçka të çon te ideja se Nevil Dede nuk do të ndryshojë asgjë nga formacioni titullar. Trajneri është i bindur se ekipi aktual ka gjetur balancën e duhur dhe në një moment kaq delikat të sezonit vazhdimësia konsiderohet shumë e rëndësishme.

Në portë pritet të jetë sërish Tandilashvili, ndërsa mbrojtja do të përbëhet nga Alijev në të majtë, Poçi dhe Xhemajli në qendër, si dhe Sota në krahun e djathtë. Edhe në mesfushë pritet të konfirmohet i njëjti repart me Aleksi, Kryeziu, Haime dhe Fernando, lojtarë që kanë dhënë shumë siguri në aspektin taktik dhe në kontrollin e ritmit të lojës.
Në sulm, besimi mbetet te dyshja Gruda – Bakajoko, nga të cilët pritet të vijnë lëvizjet vendimtare në fazën ofensive. Të dy sulmuesit kanë treguar se mund të bëjnë diferencën edhe me një episod të vetëm dhe kjo është ajo që kërkohet në ndeshje të këtij niveli.
VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL













