“Finalja”, Laçi e Pogradeci mobilizojnë tifozeritë. Kurbinasit ofrojnë hyrje falas, liqenorët me superpremio

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 15, 2026 | 11:49

“Finalja”, Laçi e Pogradeci mobilizojnë tifozeritë. Kurbinasit ofrojnë hyrje falas, liqenorët me superpremio

Laçi–Pogradeci është pa diskutim kryendeshja e javës së 31-të në Kategorinë e Parë, një përballje që mund të përcaktojë jo vetëm fatin e kreut, por edhe rrugën drejt ngjitjes në elitën e futbollit shqiptar. Në një moment delikat të sezonit, kjo sfidë merr përmasa të një finaleje të parakohshme, ku çdo detaj mund të bëjë diferencën.

tifozet e pogradecit

Një duel që vlen sezonin

Laçi mban vendin e dytë me 70 pikë, vetëm 3 më pak se kryesuesit e Skënderbeut, ndërsa nga pas ndiqet nga Pogradeci me diferencë po 3 pikësh. Kjo e bën përballjen direkte një “nyje” vendimtare për renditjen finale. Një fitore e kurbinasve do t’i mbante ata në garë të fortë për vendin e parë, ndërsa do të shkëpuste përkohësisht rivalin direkt. Në krahun tjetër, një sukses i Pogradecit do të barazonte gjithçka dhe do të rihapte plotësisht garën për ngjitjen në Superiore.

Atmosfera pritet të jetë elektrizuese, me stadiumin e Laçit që do të shndërrohet në një arenë të vërtetë, aty ku do të luhet thuajse gjithë sezoni për të dy skuadrat.

Premio rekord për liqenorët

Në prag të kësaj supersfide, drejtuesit e Pogradecit kanë ndërmarrë një hap të fortë motivues për ekipin. Është akorduar një premio prej 50 mijë eurosh vetëm për fitoren në Laç, ndërsa në rast të sigurimit të ngjitjes në Superiore, shpërblimi total arrin në 100 mijë euro të tjera. Ky investim tregon qartë ambicien e klubit liqenor për të rikthyer ekipin mes më të mirëve në vend, duke e kthyer këtë ndeshje në një objektiv jetik.

Mobilizimi në kampin kurbinas

Nga ana tjetër, Laçi nuk mbetet pas në përgatitje dhe motivim. Klubi ka bërë thirrje të vazhdueshme për mbështetje masive nga tifozëria, duke e konsideruar këtë sfidë si vendimtare për rikthimin në elitë.

Në njoftimin e bërë publik, drejtuesit bardhezi theksojnë rëndësinë e pranisë së tifozëve: “Të dielën, të gjitha rrugët të çojnë drejt stadiumit! Nga ora 15:00, djemtë luftojnë për një qëllim të vetëm: rikthimin aty ku meritojmë. Ejani të mbështesim krenarinë e qytetit dhe të vulosim këtë sezon pozitiv. Hyrja në tribunën përballë do të jetë falas për të gjithë tifozët!” Thirrjet janë përsëritur edhe dje në rrjetet sociale, duke e cilësuar këtë përballje si më shumë se një ndeshje, si një çështje identiteti dhe krenarie.

Organizimi maksimal i Pogradecit

Edhe Pogradeci ka hyrë në “modalitet finaleje”, duke mos u fokusuar vetëm te skuadra, por edhe te mbështetja në tribuna. Klubi ka vendosur në dispozicion autobusë falas pa limit për tifozët që duan të udhëtojnë drejt Laçit. Në mesazhin drejtuar tifozërisë liqenore, klubi kërkon bashkim maksimal: “Ky nuk është një udhëtim i zakonshëm, por një mision për ekipin tonë! Kërkojmë organizim dhe konfirmim maksimal, për të treguar se Tifozeria Liqenore është gjithmonë në krye. Ekipi ka nevojë për ju, zëri juaj është forca jonë!”

“Lojtari i 12-të” vendimtar

Të dy klubet janë të vetëdijshëm se në ndeshje të tilla, diferencën nuk e bëjnë vetëm lojtarët në fushë, por edhe atmosfera në tribuna. Prandaj, beteja Laçi–Pogradeci pritet të fitojë edhe një dimension tjetër, atë të tifozërive. Me hyrje falas për vendasit dhe udhëtime të organizuara për miqtë, stadiumi pritet të jetë i mbushur dhe në kulmin e tensionit sportiv.

Një hap larg Superiores

Në fund, kjo sfidë nuk është thjesht për tri pikë. Është për krenari, për investime, për një sezon të tërë pune dhe sakrifice. Është një hap i madh drejt Superiores. Laçi apo Pogradeci? Përgjigjja do të vijë në një përballje që premton spektakël, tension dhe emocione deri në sekondën e fundit.

PANORAMASPORT.AL