Erblira Bici fitoi “Challenge Cup”, Gurabardhi: Krenaria e Shqipërisë, vendosini emrin e saj sallës së sportit…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 22, 2026 | 9:47

Erblira Bici fitoi “Challenge Cup”, Gurabardhi: Krenaria e Shqipërisë, vendosini emrin e saj sallës së sportit…

 

Erblira Bici shënoi një tjetër arritje të jashtëzakonshme, duke fituar “Challenge Cup” si protagoniste absolute me skuadrën e saj, Megabox Vallefoglia. Si trajneri që e ka zbuluar Bicin dhe ka punuar me të për vite me radhë në Shqipëri, Hasan Gurabardhi ka komentuar për “Panorama Sport” suksesin e volejbollistes shqiptare.

hasan gurabardhi edlira bici

 

“Është një arritje e madhe për Erën dhe për volejbollin shqiptar, si dhe një sukses i skuadrave italiane, të cilat gjithmonë e kanë mbështetur. Erën e kam parë kur nuk i kishte mbushur ende 12 vjeç, në maj të vitit 2007. Që në atë moment thosha se kjo vajzë nuk duhet të humbasë. Ishte fat i madh që ajo, që në vitin 2009, erdhi te Tirana dhe i kishte të gjitha të dhënat për t’u bërë një volejbolliste e madhe. Që të arrinte të luante me Novarën, duke dalë kampione e Europës, dhe të vazhdonte me shumë ekipe në A1, ndërsa tani fiton ‘Challenge Cup’, duke u shpallur MVP jo vetëm e finales, por e të gjithë aktivitetit, si pikëshënuesja më e mirë… Kjo është diçka që të bën vërtet krenar, jo vetëm mua që kam punuar me të, por besoj të gjithë dashamirësit e volejbollit në Shqipëri, federatën dhe këdo tjetër”, rrëfen trajneri pasionant dhe fitues i shumë titujve në sportin e rrjetës në Shqipëri.

bici

Më tej ai vijon: “Era ka punuar shumë, është lodhur shumë dhe po luan në një kampionat ku janë volejbollistet më të mira të botës. Është sezoni i katërt radhazi që Bici renditet mes pikëshënuesve më të mira: tri herë e treta dhe një herë e katërta, në një kampionat ku luajnë absolutisht lojtaret më të mira të botës. Këto janë rezultate të jashtëzakonshme, që nuk i kam menduar as unë, as Era vetë dhe asnjë shqiptar. Por ajo është një vajzë punëtore. Unë e kam thënë edhe herë të tjera që, për t’u bërë sportist i madh, duhet të kesh të paktën pak talent, të bësh shumë punë dhe të kesh edhe fat. Era i ka pasur të tre këta komponentë dhe tani na bën të gjithëve të ndihemi krenarë për të”.

EMOCIONET Gurabardhi ishte prezent në finalen e parë në Itali, aty ku skuadra e Bicit fitoi me rezultatin 3-2. Menjëherë pas kësaj ndeshjeje, gjatë një komunikimi me gazetën, ai tha se në takimin e kthimit në Athinë fitorja do të ishte më bindëse, dhe ashtu ndodhi, pasi Megabox Vallefoglia triumfoi pastër 0- 3. Gurabardhi tregon emocionet e të ndjekurit nga afër të lojtares që ai vetë e ka zbuluar që fëmijë: “Ndeshjet i kam përjetuar me shumë emocione, sidomos këto të fundit, dhe mirë që nuk më ka pushuar zemra. Këtë vit e kam ndjekur nga afër në disa ndeshje. E ndoqa edhe me Coneglianon në Trevizo, ku më bëri si dhuratë edhe prezantimin me Isabelle Haak, e cila është volejbollistja më e mirë në botë. Bisedova edhe me menaxherin e Coneglianos për volejbollin shqiptar, ndërsa më pyetën nëse ka në Shqipëri lojtare si Era. U thashë që ne e kemi traditë volejbollin dhe përmenda disa nga arritjet tona, por theksova dy problemet kryesore: financat e kufizuara dhe infrastruktura e dobët e pallateve të sportit. Megjithatë, volejbolli mbetet një traditë dhe vazhdon të prodhojë talente në Shqipëri, si te meshkujt ashtu edhe te femrat”.

hasan gurabardhi bici

THIRRJA Në fund, Gurabardhi e mbyll me një thirrje për institucionet sportive në vend: “Dua të theksoj se kjo thirrje nuk vjen për faktin që kam punuar me Erblira Bicin, por sepse ajo e meriton falë punës që ka bërë. Është larguar shumë e re nga Shqipëria, pa mbushur 21 vjeç. Gramshi e ka shpallur ‘Qytetare Nderi’ dhe ajo është shumë e kënaqur. Është një vajzë e thjeshtë dhe e përmend gjithmonë këtë vlerësim. Kam dëgjuar fjalë të mira për kryetarin e Bashkisë së Gramshit dhe mendoj se do të ishte shumë mirë që të nderonte veten, qytetin dhe gjithë volejbollin shqiptar, duke i vendosur emrin ‘Erblira Bici’ sallës sportive në Gramsh, pasi qyteti nuk ka pasur ndonjëherë një sportiste apo sportist të këtij niveli. Gjithashtu, një tjetër thirrje shkon për Federatën Shqiptare të Volejbollit, e cila duhet të bëjë më shumë për ta mbështetur këtë kampione të madhe. Po jap vetëm dy shembuj nga federata më të vogla: Sahit Prizreni, i cili bën një punë të shkëlqyer për sportistët elitarë të mundjes, dhe Elvis Toçi në ski, që po mbështet fuqishëm Lara Kolturin. Të njëjtën gjë duhet të bëjë edhe FSHV për këtë vajzë, për ta mbështetur dhe promovuar një lojtare që ka arritur rezultatet më të larta në historinë e volejbollit shqiptar, përveç Donald Suxhos, i cili nuk ka luajtur për Shqipërinë”, përfundon Hasan Gurabardhi.

PANORAMASPORT.AL