Elbasani merr zemër, Gvozdenoviç: Jemi më të fortë se Teuta
Në prag të ndeshjes së radhës të Superiores, skuadra e Elbasanit përgatitet për një përballje të vështirë kundër Teutës, një nga ekipet më në formë të kampionatit. Sezonin e kaluar durrsakët i kanë sjellë fat verdhebluve, por tani është një histori e re në një kampionat ku edhe pretendimet janë më të mëdha. Elbasanasit vijnë në këtë përballje me petkun e kryesuesit, një pozicion që i jep komoditet, por edhe presion.

Gjithsesi, synimi i vetëm është marrja e tri pikëve, për më tepër që luajnë në shtëpinë e tyre dhe përballë tifozëve. Për monentin të gjitha “kartat” duken në rregull për elbasanasit, por gjithsesi në fund është fusha ajo që do të vendosë.
GVOZDENOVIÇ- Trajneri i skuadrës, Ivan Gvozdenoviç, ka dhënë një prononcim për mediat rreth atmosferën në ekip, pritshmëritë dhe mentalitetin me të cilin lojtarët do të hyjnë në këtë sfidë të rëndësishme. Ai ka besim tek forcat e skuadrës së tij dhe mentaliteti që kanë krijuar. “Atmosfera para ndeshjes me Teutën është shumë e mirë. Lojtarët janë të fokusuar dhe të motivuar, çdo ditë kemi punuar intensivisht për të përgatitur skuadrën. Megjithatë, duhet të theksoj se gjithçka vendoset në fushë. Aty do t’i tregojmë të gjitha aftësitë tona dhe mënyrën se si mund të kontrollojmë lojën. Ne kemi besim tek grupi dhe tek mentaliteti i tyre fitues”, pohon fillimisht Gvozdenoviç.
KUNDËRSHTARI – Tekniku i Elbasanit shprehu respekt për kundërshtarin, por njëkohësisht theksoi vendosmërinë e skuadrës për të dhënë maksimumin. Ai evidenton faktin se durrsakët janë një skaudër pa asnjë humbje deri më tani “Teuta është një kundërshtar shumë i fortë. Ata nuk kanë pësuar asnjë humbje deri tani dhe kanë lojtarë me shumë cilësi brenda skuadrës. Disa prej tyre kanë eksperiencë të madhe në kampionatin shqiptar, çka u jep avantazh. Por, për ne nuk ndryshon asgjë. Ne mendojmë vetëm sesi të luajmë futbollin tonë dhe të fitojmë në fushë”, vijoi më tej Ivan Gvozdenoviç.
EKUILIBRAT – Serbi ka theksuar forcën dhe ekuilibrin e skuadrës, ku të gjitha rolet duket se janë në harmoni me njëri-tjetrin. “E shoh skuadrën si një grup të fortë dhe të balancuar. Kemi ekuilibër nga faza sulmuese dhe ajo mbrojtëse dhe kjo na jep siguri. Secili lojtar di rolin e tij dhe është i përqendruar në atë që duhet të bëjë. Çdo ndeshje është një mundësi për të treguar karakterin tonë, për të luajtur me pasion dhe për të dhënë maksimumin”, u shpreh në vijim kreu i pankinës verdheblu.
TIFOZËT – Trajneri gjithashtu ka dhënë mesazhin e tij për tifozët, të cilët pritet të jenë të shumtë dhe një suport i madh për ekipin, sidomos kur luan në “Elbasan Arena”. “Mbështetja e tyre është gjithmonë një motiv shtesë për të gjithë ne. Presim që stadiumi të jetë i mbushur dhe energjia e tifozëve të na japë forcë shtesë, siç ka ndodhur deri më tani. Skuadra dhe tifozët së bashku mund të bëjnë diferencën në fushë”, mbylli prononcimin e tij për mediat trajneri i ekipit të Elbasanit, Ivan Gvozdenoviç.
VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL













