Elbasani kërkon hakmarrjen ndaj Partizanit për pengun e Europës, skuadra e Gvozdenoviçit do të ruajë kreun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2025 | 12:21

Elbasani kërkon hakmarrjen ndaj Partizanit për pengun e Europës, skuadra e Gvozdenoviçit do të ruajë kreun

Fitorja e Partizanit 2-0 më 27 prill të sezonit të kalu ar mbeti një nga pengjet më të mëdha për Elbasanin në vitin e rikthimit të tij në elitën e futbollit shqiptar.elbasaniIshte pikërisht ajo ndeshje, në “Arenën e Demave”, që i preu krahët verdhebluve dhe i privoi nga mundësia për të hyrë në Europë, një ëndërr që dukej e realizueshme deri në javën e fundit. Tani, pas 145 ditësh, Elbasani kthehet në të njëjtin stadium jo vetëm për të kërkuar hakmarrjen, por edhe për të forcuar kryesimin e kampionatit, duke e bërë të qartë se ky sezon ka objektiva edhe më të mëdha.

PLAGË E HAPUR – Si presidenca, ashtu edhe trajneri dhe futbollistët, nuk e kanë fshehur kurrë se ajo humbje mbeti një plagë e hapur. Në deklaratat e fundit të kampionatit të kaluar, ata e përmendën shpesh: “Ndeshja e fundit ndaj Partizanit është pengu që nuk ia dolëm dot”. Dhe në fakt, fitorja e të kuqve në atë përballje pati një efekt domino: Partizani u sigurua për Europën, ndërsa Elbasani mbeti jashtë. Për një ekip që kishte bërë një rrugëtim të jashtëzakonshëm, kjo u duk si një padrejtësi sportive, një ndëshkim i hidhur në momentin më delikat.

RIKTHIMI SI KRYESUES – Por, këtë herë situata është ndryshe. Elbasani nuk shkon në “Arenën e Demave” si një debutues që kërkon surprizën, por si një kryesues i renditjes. Verdheblutë janë forcuar, kanë fituar besim dhe e shohin veten si një skuadër që ka pjekurinë e nevojshme për të luftuar për kreun. Hakmarrja nuk është vetëm një motivim psikologjik; është një domosdoshmëri për të dëshmuar se Elbasani nuk është më një episod kalimtar në futbollin shqiptar, por një realitet që duhet marrë seriozisht. Në futboll, hakmarrja nuk është vetëm çështje emocionesh. Ajo përkthehet në rezultate, në pikë, në renditje. Një fitore ndaj Partizanit do të kishte një vlerë të shumëfishtë për Elbasanin: do ta mbante të vetëm në krye të tabelës, do të shlyente një borxh moral ndaj tifozëve që ende e kujtojnë atë humbje të prillit dhe, mbi të gjitha, do të tregonte se ekipi është gati për ndeshjet e mëdha, ato që vendosin fatet e një sezoni.

MESAZH PËR KAMPIONATIN – Elbasani dhe Partizani nuk kanë qenë kurrë thjesht dy ekipe që takohen për tre pikë. Historia e përballjeve të tyre është e mbushur me emocione, rivalitet dhe simbole. Për verdheblutë, kjo ndeshje është një provë karakteri. Është momenti për të treguar se kanë mësuar nga e shkuara dhe se tashmë janë gati të shkruajnë faqe të reja. Stadiumi ku u thye ëndrra e Europës, tani mund të shndërrohet në arenën e ringritjes dhe të një fitoreje me peshë të jashtëzakonshme. Një rezultat pozitiv në këtë përballje do të ishte më shumë sesa tre pikë. Do të ishte një mesazh për të gjithë kampionatin: Elbasani është këtu për të qëndruar në krye dhe për të luftuar deri në fund. Ekipi i Ivan Gvozdenoviç e di se nuk ka më justifikime. Forma e mirë, përvoja e fituar dhe fryma e grupit janë armët që e bëjnë këtë Elbasan më të fortë se kurrë. Dhe pikërisht në ndeshje të tilla, kundër skuadrave me emër si Partizani, matet vërtet forca e një pretendenti për titull.

VLADIMIR MEMA-PANORAMASPORT.AL