EKSKLUZIVE/ “Vllaznia pretendente si asnjëherë në këto 5 vite”, Starova: Partizani ka potencial, do të jetë për katërshe (E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2025 | 23:00

EKSKLUZIVE/ “Vllaznia pretendente si asnjëherë në këto 5 vite”, Starova: Partizani ka potencial, do të jetë për katërshe (E PLOTË)

Në një periudhë jo të mirë për Partizanin, Sulejman Starova analizon formën e dobët, mungesat dhe çfarë duhet ndryshuar.

starova

Me përvojën, ish-trajneri i “demave” ofron pasqyrë të qartë mbi sfidat aktuale të Partizanit dhe pritshmëritë për vazhdimësinë. Te intervista ekskluzive për “Panorama Sport”, Starova ndalet edhe në pjesën tjetër të kryeqytetit. Pikërisht te situata e Dinamos dhe Tiranës, si edhe vlerëson rivalët e tjerë të kampionatit. Starova evidenton kështu skuadrat që po bëjnë diferencën. Një analizë kjo që vjen pas katër javësh të luajtura në Superiore.

Forma e dobët e Partizanit, çfarë nuk po shkon?

Po të shikojmë të dy aspektet e lojës, treguesit kryesorë e vërtetojnë këtë sepse Partizani ka shënuar vetëm dy gola dhe ka pësuar pesë. Pra, duhet punë që të rregullohet shënimi i golave që është pak i vështirë. Dhe në thonjëza pak më i lehtë është aspekti difensiv. Pesë gola janë shumë që të pësojë Partizani. Në aspektin teknik, taktik, të rregullohet pak më shpejt kjo diferencë, pesë gola të shënuar janë shumë. Lind pyetja pse një gjë e tillë? Do një analizë që e bën trajneri me skuadrën. Nga jashtë mund të themi që kanë ndikuar mungesat, dëmtimet, por edhe objektivi që ka Partizani, minimalisht të futet në katërshe dhe të synojë titullin kampion. I ka të gjitha mundësitë, por i duhet që në një kohë shumë të shpejtë të rikuperojë pikët e lëna dhe të rregullojë këto dy komponentë të rëndësishëm. Shënimi i golave dhe mbrojtja e portës.

Si e shikoni kontingjentin e Partizanit, a ka elementë për t’u përmirësuar?

Partizani është i plotë. Vihen re për momentin treguesit që thashë, tregojnë arsyen e këtij rezultati që për mendimin tim është momental. Do kalojë sepse duke rikuperuar dëmtimet, por sigurisht duke i dhënë pak kohë edhe trajnerit të ri që ka ardhur. Ka lojtarë si Marku që sapo ka ardhur, ka lojtarë që janë të dëmtuar. Partizani ka qenë më shumë sulmues. Prandaj them edhe unë që dëmtimet janë, shumë arsye për të dhënë përgjigje përse është kjo gjendje. Marku sapo ka debutuar, në krahun e djathtë. Dhe Hjumen po ashtu.

Një mendim për merkaton e Partizanit?

Nga një anë vijnë si të rinj Hjumen, Marku dhe Arafat, apo mungesa e Skukës. Partizani aty i ka lojtarët, por i duhet të rikuperojë titullarët. Dhe mendoj se Partizani vuan ato largimet e 4-5 lojtarëve cilësorë. Shpresojmë me hyrjet e tjera. Mendoj se kontingjenti është për të bërë diçka të tillë. Besoj se Partizani do jetë për katërshe, por duhet të rrisë nivelin në mënyrë që të përballojë skuadra me kontingjent të mirë si Vllaznia, Dinamo duke llogaritur edhe Egnatian që ka forcën e vet bashkë me Elbasanin.

Çfarë mendimi keni për Milinkoviç me të cilin jeni përballur 8 vite më parë?

CV-në e ka të mirë, ai ka bërë mirë. Unë drejtoja Partizanin atëherë, përshtypja e parë është e mirë për të. Ka vazhduar aktivitetin, ka dalë kampion në Malin e Zi. Kaq mund të them. Ndërkohë unë them se çdo trajner do kohën e vet.

Sigurisht që është pak problematike, kur ti nuk ke kohën e duhur të fazës përgatitore, por vjen direkt në aktivitet me dy javë. Është e pakët kjo kohë, duhet dhënë kohë. Nuk mund të them diçka tjetër për të si trajner, kam respekt. Ka punuar mirë në Shqipëri dhe jashtë. Zgjidhjen e ka bërë drejtori sportiv, Abilaliaj, që ka marrë gjithë përgjegjësinë. Kështu kaq mund të them, fjalë të mira. Duke u futur pak në imtësi, Partizani ka oshilacione. Por në këtë oshilacione ka luajtur edhe mirë, që do të thotë se i ka mundësitë.

Po t’i referohem ndeshjes me Elbasanin, Partizani e nisi me vrull, komandoi lojën, zotërimi i topit, zhvendosi lojën shumë herë te fusha e Elbasanit. Krijoi dy raste për shënim, që mund të ndryshonin rrjedhën e lojës. Pastaj u dëmtua keq sepse luajti në pjesë të konsiderueshme me 10 vetë, Bytyçi me karton të kuq. Këto janë aspekte që e kanë dëmtuar edhe më shumë. Forca e kthesës së Partizanit, besoj duke iu kthyer lojtarët titullarë, se Partizani i ka postet e dubluara, tani pritet cilësia dhe rritja e skuadrës.

E cila vjen nga puna, duhen eliminuar të metat, të rritet numri i golave të shënuar. Të mos shfaqë këto dobësi, që krijohen raste dhe nuk shënohen. Pesë gola për Partizanin janë shumë, Hoxha ka qenë edhe më i miri që i bie problematike. Po të rregullohen këto dy aspekte, kam besim që do ecë përpara. Besoj shumë te rikthimi i titullarëve, dhe te mbushja e skuadrës që të jetë e plotë për të përballuar ndeshjet në vijim.

Si duhet të shkojë Partizani në Ballsh dhe çfarë duhet ndryshuar nga sfida me Elbasanin?

Po ta analizosh lojën, nuk është pak që Partizani krijoi 2-3 raste për shënim, përpara se Elbasani për herë të parë që shkoi në portë shënoi golin. Kjo mënyrë loje, lojë e mirë e Partizanit, nga ky moment dhe deri te shënimi i golit të Elbasanit është pjesë pozitive e Partizani. Tani duhet analizuar me shpejtësi se ku janë të metat dhe të metat flasin, dy gola të shënuar dhe pesë të pësuar. Tani lojtarët janë. Janë të mirë, me eksperiencë, Atanaskoski, Marku, Preka, Bytyçi, kanë edhe zgjedhje të tjera. Flas si repart. Në fazë difensive nuk flas vetëm për repartin.

Në fazë difensive Partizanit nuk i mungon edhe mbrojtja me të gjithë skuadrën, i ka të gjitha mundësitë që të bëhet kompakt në fazën difensive. Dhe me siguri po punojmë shumë, e dinë që pesë gola janë shumë dhe i kanë analizuar me imtësi se si i kanë marrë këto gola. Nga ana sulmuese them që do i vijë fuqia edhe me lojtarët e tjerë, kontributi i Skukës dhe lojtarëve të tjerë që janë. Pritet të japë më shumë Isgandarli, është afrim shumë i mirë i Partizanit. Është lojtar që e ka treguar veten tek Egnatia, pse jo edhe tek Partizani, por do pak kohën e vet.

Nisje e keqe për të gjithë kryeqytetin, ku po çalon Dinamo dhe Tirana?

Kjo është rastësi. Dinamo aty është, por nganjëherë kampionati ka kapriçot e veta. Dikujt i ecën në fillim dhe dikujt jo. Po të analizosh Dinamon, është përgatitur mirë për Kupat e Europës. Bëri ndeshje të shkëlqyer me Hajdukun, dhe fitore bindëse me Vllazninë, pastaj Dinamo ka vuajtur mungesat kryesisht se ato luajnë mirë. Ka pasur dëmtime Dinamo, javën e fundit luajti me Vilën si sulmues, kur Guindon e kishte të dëmtuar.

Sigurisht që ka nevojë edhe për lojtarë të tjerë cilësorë, që mund të vijnë edhe në janar. Në përgjithësi dua ta veçoj Dinamon, është për momentin kështu. Dinamo është pretendente për kampion. Dhe ka shumë pretendentë këtu. Është moment trazicioni them për Dinamon sepse garanton që ka lojë, nuk ka gjetur golin, por i ka bërë lëvizjet dhe luajtur shumë mirë, por ndeshja humbet edhe duke luajtur mirë për arsyet që thashë.

Tirana?

Tirana është pak më ndryshe. Filloi me Milen që u zëvendësua, ka ardhur Bordin që do kohën e vet. Dhe Tirana ka treguar oshilacione. Nuk është kollaj me Bylisin, e kemi parë tani. U mund me Vorën që mori goditje psikologjike. Tani i duhet ta kapërcejë. Këto skuadra ngaqë kanë fanellën e rëndë, nga ana psikologjike, objektivi që kanë rëndon shumë. Rëndon edhe te Partizani sepse kur ke objektiv të dalësh kampion, do ta marrësh përsipër edhe barrën që ke.

Nuk je si të tjerat që mund të mos e kenë këtë objektiv. Partizani, Tirana dhe Dinamo i kanë të përjetshme objektivat. I kanë për kampion, minimalisht Kupa, dhe tani që ka dalë pjesëmarrja në Europë që shpëton sezonin. Mendoj se Dinamo sigurisht që ka nevojë për lojtarë cilësorë, në repartin e mbrojtjes dhe ato e dinë shumë mirë.

Por nuk është e lehtë sepse kanë kërkuar dhe nuk kanë gjetur lehtësisht, po luajnë edhe me të improvizuar. Ishin edhe dy ikje si Zabërgja dhe Itodo, lojtarë të shkëlqyer. Ajo lë pak gjurmë negative. Kam besimin se edhe Dinamo do ndryshojë dhe do jetë pretendente siç e mendojmë të gjithë.

A ka Superiorja vetëm një pretendent kryesor, që bën diferencën nga të tjerët?

E kam të vështirë, na duhen edhe disa javë që ta themi këtë gjë. Duhet minimalisht që të mbarojë faza e parë, që të themi diçka. Insistoj të them që Egnatia mbetet pretendente kryesore sepse është dy vjet kampion. Ka marrë 3 pikë të rëndësishme në Ballsh, që quheshin detyrim por nuk është e lehtë të merren. Nuk është e lehtë të fitosh edhe ndaj Tiranës. Dhe morali është marrë, për t’u ngjitur sipër. Pra është pretendente. Ka bërë lëvizje, por skuadrën e ka të plotë.

Është e shëndoshë për të synuar sërish fitimin e kampionatit. Në anën tjetër është Vllaznia. Është e mbushur plot. Maja e sulmit, përveç Balajt është edhe Bismarku. Tani Malaj nga e djathta dhe dy lojtarë të mirë si Kastrati, Murataj. Dhe në mesfushë mirë. Ka ardhur edhe Kallaku, Gjini. Është bërë skuadër pretendente, si asnjëherë në këto 5 vjet. Nuk mund ta them tani që bën diferencën sepse llogaris Dinamon, Egnatian dhe Elbasanin.

Elbasani në krye, çfarë mendimi keni?

Elbasani erdhi nga Kategoria e Parë, kishte ecuri të mirë dhe në fund të kampionatit ishte gati për t’u futur në katërshe. Kjo përkon edhe me ardhjen e Gvozdenoviç si trajner. Klubi e konfirmoi, kanë bërë disa blerje. Duket se është bërë fryma e grupit. Është shumë mirë, kur një skuadër shoqërohet nga një trajner. Siç ka Egnatia të njëjtën trajner. Vllaznia e ka ndryshuar, Partizani e ka ndryshuar, Dinamo ka të njëjtin. Në rastin e Elbasanit, i ka shkuar mirë. Dinamo pritet të rikthehet. Elbasani ka bërë mirë, tregon shpirt gare. Po bën dallim me lojtarin e 12, që është tifozllëku.

Po bën dallim tjetër, që ka 2-3 lojtarë shumë të shpejtë, ku është edhe fuqia e kësaj skuadre. Në fazën difensive është edhe një lojtar tjetër që i ka bërë punë, Azemoviç që luan në formacion. Edhe Elbasani është kandidat, ka tërhequr vëmendje dhe po luan mirë. Janë lojtarë që kanë ardhur në janar, që kanë rritur nivelin. Po bën mirë edhe Bunjaku, që i shënoi Partizanit. Është skuadër simpatike, me grintë, që mbështetet edhe nga tifozllëku dhe po bën figurë të mirë në kampionat.

EMANUEL LOCI-PANORAMASPORT.AL