EKSKLUZIVE/ Trajneri Ranieri: Do të vija në këmbë nga Italia për Vllazninë! Martini? Nuk besoj se… (E PLOTË)
Baldo Raineri, ish-trajneri i Vllaznisë ishte i pranishëm ditën e premte në “Loro Boriçi”, ku ndoqi edhe ndeshjen e kuqebluve përballë Teutës.

I ndodhur në vendin tonë për procedurat e rinovimit të licencës “UEFA Pro”, italiani shfrytëzoi këto ditë për të ndjekur edhe ish-ekipin e tij. Teksa ka dhënë edhe një intervistë për “Panorama Sport”, ku u ndal veçanërisht tek emocionet që pati dhe nderimi që iu bë nga ana e klubit shkodran. E ndërsa analizoi edhe ndeshjen, duke theksuar se ndoshta nuk e shikoi skuadrën në ditën e saj më të mirë. Gjithashtu trajneri apelin ndalet edhe te shpresat e një titulli kampion në Shkodër, ku mendon se ka ardhur momenti i Vllaznisë.
Mister, një rikthim në Shkodër pas më shumë 10 vitesh, i emocionuar?
Absolutisht që po, jam i emocionuar dhe ndihem mirë që ende tifozët dhe ambienti këtu më kujton. U gëzova shumë nga duartrokitjet e tyre dhe isha mes miqve të vjetër, por edhe të rinj që i njoha së fundmi. Shkodra dhe Vllaznia ngelin speciale, entuziazmi dhe respekti nuk bien kurrë këtu e kjo më mbush me pozitivitet. Prandaj jam shumë falënderues për këtë atmosferë.
Vllaznia iu nderoi, si e vlerësoni këtë fakt?
Shiko, pavarësisht drejtuesve të rinj që kanë ardhur dhe ngritur ekipin aty ku duhet, ata nuk e harrojnë historinë dhe njerëzit që kanë punuar me pasion dhe ndershmëri. Kam vetëm fjalë të mira për ta dhe asgjë më tepër, pasi pastaj do ta teproja me komplimente (qesh).
Çfarë ka ndryshuar që nga periudha kur ju ishit trajner?
E para stadiumi, ishte fantastik dhe u ndjeva shumë komod. Po ashtu siç e thashë, Vllaznia është ngritur në nivelet e emrit dhe historisë që ka, ku meriton të luajë për titull kampion e në fund tifozët që nuk ndryshojnë kurrë, që janë gjithmonë afër ekipit për ta mbështetur, por edhe kërkuar llogari (qesh).
Por, tifozët nuk janë aq të shumtë në stadiume sa në sezonin kur ju drejtonit Vllazninë…
Kjo mund të jetë e vërtetë sepse realisht në periudhën kur unë drejtova, Vllaznia luante për mesin e renditjes, pa objektiva madhorë dhe për këtë të jemi realistë, por në stadium kishte shumë më shumë tifozë. Ndërsa kësaj radhe prisja shumë më tepër të tillë në shkallët e stadiumit. Megjithëse ndoshta moti i ftohtë ka ndikuar te pjesëmarrja e tyre ku jam i sigurt që do rikthehen për të mbështetur skuadrën.
Kalojmë pak tek ndeshja, si u duk në syrin tënd Vllaznia në këtë humbje 0-1 ndaj Teutës?
Ndoshta nuk isha unë fati i mirë i Vllaznisë këtë duel (qesh). Ishte humbja e parë në shtëpi nga sa pashë dhe statistikat dhe ndoshta “trondit” disi. Por, futbolli i tillë është dhe ka ndeshje “jo”, për mua kjo ishte një ndeshje “jo” e Vllaznisë sepse nuk mendoj se u shpreh ashtu siç duhet në fushën e lojës. Teuta ishte më konkrete dhe e meritoi fitoren në Shkodër, por një humbje nuk të largon aspak nga objektivat. Dhe duhet të shërbejë për motivim dhe përmirësim në të ardhmen.
Do të bëjë diçka ndryshe nga Martini në zhvillimet e këtij 90-minutëshi?
Nuk e besoj, sepse me sa pashë në fushë ishin futbollistët më të mirë dhe skuadra ishte pa fat sepse 3 lojtarë u dëmtuan dhe kjo nuk është e lehtë. Është po ai trajner që ka mbajtur ekipin në vendin e parë deri më tani dhe besoj se do e rikthejë sërish skuadrën në krye shumë shpejt.
Pra, besoni tek një titull i Vllaznisë në fund të sezonit?
Gjithmonë kam besuar te suksesi i Vllaznisë, edhe kur unë drejtoja. Nuk e di është fanellë apo ambienti këtu që të imponojnë të thuash dua titullin kampion pavarësisht gjendjes në të cilën mund të jetë skuadra. Por, unë them se ky është sezoni i Vllaznisë dhe momenti i duhur për të kthyer titullin në Shkodër pas kaq shumë viteve mungesë.
E mendon Raineri një rikthim në trajningun shqiptar?
E dua këtë vend dhe i respektoj njerëzit këtu, do të falënderoja këdo që interesohet për mua. Për Vllazninë do vija në këmbë nga shtëpia ime në Itali, por për klubet e tjera jo. Për mua dhe në zemrën time në Shqipëri ekziston vetëm ekipi i Vllaznisë dhe asnjë tjetër.
ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL













