EKSKLUZIVE/ “Tirana dhe Partizani ndryshuan shumë”, Bakalli analizon “nëndetësen”: Dinamo është kandidate serioze, duhet përqendrim (E PLOTË)
Engert Bakalli është një nga lojtarët që ka lu ajtur për 3 skuadrat e kryeqytetit, teksa në një intervistë për “Panorama Sport”, ai nuk ka dyshim për Dinamon që e sheh si kandidate për titullin.
Sa i përket Tiranës e Partizanit, “Bakja” shprehet se dy skuadrat kanë bërë ndryshime të shumta në fillim të seoznit, gjë e cila i ka penalizuar. Megjithatë, Bakalli shprehet se në javët e fundit ka parë përmirësim, gjithsesi do ta kenë të vështirë të arrijnë zonën europiane.
Engert, si të është dukur Dinamo në këto javë të para të kampionatit?
Dinamo ka bërë përgjithësisht mirë këto javë të para të kampionatit. Mund të kishte marrë më shumë pikë, nëse nuk do të gabonte në ato 2-3 ndeshje. Mendoj se ishte një moment jo, që u ndodh të gjitha skuadrave në kampionat dhe më mirë që Dinamo e kaloi tani në fillim.
Çfarë mendon se duhej bërë ndryshe për të pasur më shumë pikë deri tani?
Duhej më shumë përqendrim, këmbëngulje më e madhe për të shkuar te rezultati pozitiv. Duheshin shfrytëzuar më mirë rastet që janë krijuar, duhej një skuadër më cinike. Dinamo i ka krijuar rastet, por ka munguar finalizimi, gjë që besoj se do të rregullohet shpejt.
Ju keni qenë ndër të parët që keni insistuar se Daja i duhet Dinamos. Si e keni parë punën e tij në krye të skuadrës?
Daja është një dinamovit dhe ajo që ai ka bërë e dinë të gjithë. Është trajner me mentalitet fituesi, diçka shumë e rëndësishme në futboll. Me të Dinamo u kthye te trofetë, në Europë u paraqit më mirë se skuadrat e tjera shqiptare dhe besoj se skuadra do të vazhdojë të rritet. Edhe pse u shitën elementë me vlera si Itodo dhe Zabërgja, Dinamo ka një skuadër me shumë kualitet.
A mendon se Dinamo është tashmë rivali kryesor për titullin?
Dinamo është kandidate serioze për titull. Ka një president shumë korrekt si z. Bardhi, ka një trajner fitues dhe një grup lojtarësh mjaft të mirë.
Sa ju ka bindur merkatoja që është bërë gjatë verës?
Për merkaton e bërë mendoj se është vepruar mirë nga klubi. Janë afruar lojtarë me eksperiencë si Berisha, Beqja apo mbrojtësi portugez. Një afrim mjaft interesant për mua është Hekuran Berisha.
Duke qenë se po afrohet edhe merkatoja e janarit, a mendon se ka pika ku duhet ndërhyrë?
Ka ende kohë për merkaton e janarit, ku besoj do të ketë ndonjë lëvizje. E përsëris, Dinamo ka një grup të plotë lojtarësh në gjendje për ta përballuar mirë kampionatin. Pastaj stafi teknik dhe klubi e dinë më mirë se çfarë duhet bërë.
Daja i qëndron besnik formacionit dhe disa individëve, por a mendon se akademia e Dinamos është një burim i mjaftueshëm për të furnizuar ekipin e parë?
Kam besim se me kalimin e kohës edhe akademia do t’i shërbejë Dinamos dhe nuk do të jetë nevojë për të blerë shumë lojtarë në merkato.
Duke qenë se je nga ata ish-lojtarë që ke luajtur për skuadrat e kryeqytetit, si e ke parë Tiranën dhe Partizanin këtë sezon?
Për Tiranën dhe Partizanin fillimi ka qenë i vështirë, por tani sikur po e marrin veten. Janë dy skuadra me emër, që i duhen kampionatit, e bëjnë më të bukur. Ndoshta kanë bërë shumë lëvizje në stafet teknike dhe grupin e lojtarëve. Mendoj se do ta kenë të vështirë të shkojnë në Europë, ka shumë rivalitet.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













