EKSKLUZIVE/ “Partizani, sukses ‘bio’”, Tomorri analizon titullin: Lojtarët e huaj në Shqipëri: Hanë, pinë dhe… largohen
Trajneri i Partizanit, Ylli Tomorri, rrëfen për “Panorama Sport” sezonin e suksesshëm që kurorëzoi të kuqtë kampionë të Shqipërisë në volejboll. Në këtë intervistë ai ndalet te vështirësitë e rrugëtimit, zgjedhja për të besuar te lojtarët shqiptarë, konkurrenca e fortë në kampionat dhe problemet e vazhdueshme me infrastrukturën. Me pesë tituj në shtatë sezonet e fundit, ai analizon edhe sekretet e këtij dominimi dhe sfidat për ta mbajtur ekipin në majë.

Tomorri, si do ta përshkruanit arritjen e këtij viti, me Partizanin që konfirmohet kampion i Shqipërisë në volejboll?
Me përfundimin e kampionatit të vjetshëm, që nuk mund të them se ishte i lehtë, edhe pse skuadra jonë dominoi duke humbur vetëm një set, këtë sezon ne e morëm pak lehtë dhe filluam përgatitjet me vonesë. Megjithëse ia dolëm në Kupën e Federatës, sërish unë isha i pakënaqur me performancën e skuadrës.
Më tej e rritëm shumë ritmin e stërvitjeve, por patëm edhe disa largime shumë të rëndësishme. Për fat, afruam edhe dy lojtarë me nivel të mirë, lojtarë shqiptarë, siç ishte Leonardo Doda, lojtar i Kombëtares dhe me eksperiencë jashtë, si dhe Norgen Baruti, një tjetër lojtar me eksperiencë, titullar i Tiranës. Pra, atë boshllëk e mbyllëm, por në aspektin kohor nuk e mbuluam dot vakumin që u krijua për shkak të vonesës në fillimin e stërvitjeve për sezonin e ri. Megjithatë, arritëm ta kapërcejmë dhe objektivat mbetën të njëjtë.
Na rezultoi më e vështirë, pasi skuadrat e tjera, duke parë performancën tonë të një viti më parë, ishin shumë më të mobilizuara, me më shumë ego dhe nivel, duke u mbështetur edhe te traditat e tyre. Këtu flas për disa skuadra me emër si Tirana, Skënderbeu, Erzeni, Vllaznia dhe Studenti. Këto klube u përforcuan dhe ndërtuan ekipe për të qenë rivalizuese dhe pse jo për të fituar titullin kampion. Pra, u krijua një grup skuadrash të forta, të cilat u përforcuan që në fillim me lojtarë të huaj.
Këtë triumf mund ta quajmë “bio”, duke qenë se e përballuat të gjithë sezonin duke u mbështetur në një formacion me lojtarë shqiptarë?
Ne kemi fatin dhe luksin që të kemi shumë lojtarë shqiptarë, lojtarë titullarë, ku 6-7 prej tyre janë pjesëtarë të ekipit kombëtar dhe kanë veshur fanellën e Kombëtares. Duke pasur një grup të tillë lojtarësh, mund të them se ndihesha edhe i detyruar që këta volejbollistë të mos binin nga forma e tyre.
Që ata të ishin të karikuar dhe të mos humbnin gjendjen, ishim të detyruar të merrnim edhe lojtarë të huaj për të plotësuar grupin, në mënyrë që stërvitjet të ishin konkurruese. Pra, lojtarët e huaj i morëm më shumë për të ndërtuar stërvitje të forta dhe cilësore, sesa për t’i pasur si lojtarë kryesorë të formacionit. Mendoj se kjo zgjedhje ia vlejti dhe kjo ishte arsyeja pse vendosëm të luajmë me lojtarë “bio”.
Një zgjedhje që në fund rezultoi e goditur në shenjë…
Janë dy arsyet pse vendosëm të luajmë me lojtarë shqiptarë. E para, lojtarët e huaj që vijnë në Shqipëri vijnë për të kryer rutinën e tyre: hanë, pinë, stërviten dhe largohen. Nuk kanë objektiv që të qëndrojnë edhe për sezonin tjetër. Me pak fjalë, janë kalimtarë. Më përpara ka qenë ndryshe, pasi mund të merrnim dhe të mbanim një lojtar edhe për 3-4 vite, nëse kishim mundësi financiare, por tani kjo nuk ndodh më.
Vjet u zhgënjeva me një lojtar kolumbian, i cili firmosi me ne dhe më pas kërkoi të largohej, duke thënë se kishte një ofertë më të mirë. Atëherë vendosa që lojtarët e huaj t’i përdor më shumë për stërvitje, për të rritur dinamikën e punës me lojtarët shqiptarë. Mendoj se e arrita këtë qëllim dhe jam plotësisht i kënaqur. Pavarësisht se të huajt dhanë kontributin e tyre në momente të caktuara, nuk ishin lojtarët kryesorë të skuadrës.

A keni ndonjë keqardhje apo peng nga ky sezon?
Kapaku e mbulon gjithmonë tenxheren dhe natyrisht fitorja jonë është që arritëm të marrim kampionatin, i cili ishte edhe objektivi. Kur diskutoj me miq, edhe unë them që ndonjë set nuk e luajtëm siç duhej, por në “play-off” nuk ka rëndësi si luan, rëndësi ka rezultati final. Nëse fiton, je në rregull.
Kështu që nuk më mbetet asnjë peng dhe jam shumë i kënaqur me skuadrën dhe lojtarët, të cilët i falënderoj pa masë, pasi kanë bërë sakrifica të jashtëzakonshme në kushte infrastrukturore të vështira, madje duke pësuar edhe dëmtime për shkak të fushave jo cilësore ku stërvitemi.
Vitet kalojnë dhe infrastruktura mbetet problem…
Është një situatë që nuk mendoj se do të ndryshojë shpejt. Ndoshta unë do ta kem lënë volejbollin kur të ndryshojë. Çfarë kanë më tepër Kosova, Maqedonia e Veriut apo Mali i Zi? Pa përmendur Greqinë, ku diferenca është shumë e madhe. Ne kemi qenë dikur ndër më të mirët në Europë në volejboll dhe është për të ardhur keq që jemi në këtë pikë.
A ka pasur momente që menduat se mund ta humbisnit titullin?
Besimin nuk e kam humbur asnjëherë, por ka pasur momente të vështira, pasi nuk ishim gjithmonë të gjithë në një mendje. Kishte luhatje dhe dëmtime, por edhe konkurrenca ishte shumë e fortë. Rritja e nivelit të skuadrave të tjera ndikoi shumë. Të gjitha ekipet kanë dhënë maksimumin kundër nesh, gjë që është normale përballë kampionëve.

Ndeshjet me Vllazninë dhe Studentin ishin disi më të lehta, por në gjysmëfinale me Erzenin dhe në finale me Skënderbeun e ndjemë shumë presionin. Tirana gjithashtu e meritoi Kupën e Shqipërisë. Dua t’i komplimentoj Erzenin dhe Skënderbeun për performancën e tyre. Gjithashtu, kemi luajtur para një publiku të jashtëzakonshëm në Shijak, Tiranë dhe Korçë, gjë që i jep shumë vlerë këtij sporti.
Pesë tituj në shtatë edicionet e fundit. Si e komentoni këtë dominim?
Edhe në sezonin e ndërprerë nga pandemia ne ishim në krye. Në shtatë vite te Partizani, pesë tituj janë një rezultat shumë i mirë. Nuk mund t’i fitojmë të gjitha, pasi edhe ekipet e tjera punojnë fort. Qëllimi ynë është të qëndrojmë në majë dhe merita jonë është që dimë t’i mbrojmë titujt, gjë që është më e vështirë sesa t’i fitosh.
Rekordi i trofeve vazhdon të thellohet. Çfarë mendoni kur e ktheni kokë pas?
Kur e kthej kokën pas, ndjej kënaqësi. Kam edhe mbesat që i konsiderojnë këto trofe si të tyret. Kur i shoh, më duket sikur kam një ushtri pas meje, njëri pas tjetrit. Sigurisht, trofetë i përkasin klubit dhe duhet t’i dorëzoj aty. Është një kënaqësi e madhe për punën që kam bërë në volejbollin shqiptar.
ARTIN LLESHAJ – PANORAMASPORT.AL













