EKSKLUZIVE/ Moment delikat te Partizani, Kërnaja kujton Murinjon: Nuk kërkoj alibi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2026 | 10:05

EKSKLUZIVE/ Moment delikat te Partizani, Kërnaja kujton Murinjon: Nuk kërkoj alibi

Partizani është duke i dhënë “dorën e fun dit” përgatitjeve për ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Bylisit. Të kuqtë do të kërkojnë me ngulm që të rikthehen te tre pikët që mungojnë në katër ndeshjet e fundit, ndërkohë që janë në garë për të siguruar zonën e “Final Four”. Në lidhje me situatën e skuadrës, problemet në ndeshjet e fundit dhe përgatitjen për sfidën me ballshiotët, për “Panorama Sport” foli trajneri i Partizanit, Oltijon Kërnaja.

kernajaa

Tekniku i kryeqytetasve theksoi se ekipi ka merituar më shumë seç ka marrë, sidomos në dy ndeshjet e fundit, ndërsa shtoi se golat e pësuar kanë ardhur edhe për shkak se mentaliteti i ekipit të tij është sulmi dhe jo mbrojtja, duke sjellë në vëmendje edhe shprehjen e famshme të Murinjos se është më mirë të humbasësh një ndeshje me rezultatin 5-0 sesa pesë ndeshje me rezultatin 1-0. Sakaq, Kërnaja ftoi tifozët në stadium për të mbështetur skuadrën, ndërsa i kërkoi edhe ndjesë atyre për rezultatet e kohëve të fundit, duke i premtuar se ai dhe lojtarët do të japin gjithçka për të marrë maksimumin duke nisur nga ndeshja me Bylisin.

Si është gjendja psikologjike e skuadrës pas kësaj serie ndeshjesh pa fitore?

Të themi të drejtën vijmë pas dy humbjeve që në të vërtetë për atë që kemi dhënë në fushë meritonim më shumë, sidomos në dy ndeshjet e fundit. Por futbolli ka një ligj të pashkruar: atëherë kur nuk shënon, do ta pësosh, dhe ne edhe pse në dy ndeshjet e fundit kemi pasur 12 raste 100% të volitshme për gol, sërish nuk ia kemi dalë t’i shfrytëzojmë. Megjithatë, djemtë dhe stafi vazhdojnë të punojnë për të marrë më të mirën nga ndeshja e radhës me Bylisin.

Ju shqetësojnë golat e pësuar, por edhe fakti që ekipi nuk po i shfrytëzon siç duhet rastet e krijuara gjatë ndeshjeve?

Golat e pësuar vijnë edhe nga filozofia e ekipit tonë, duke qenë se ne hyjmë gjithmonë për maksimumin dhe duke synuar gjithmonë lojën sulmuese. Para ndeshjes me Vllazninë më shqetësonte pësimi i golave nga goditjet standarde, gjë të cilën e kemi rregulluar. Nuk jam nga ata trajnerë që kërkoj alibi. Për shembull, në ndeshjen me Elbasanin, deri në minutën e 90-të ishim 1-0 dhe aty kërkuam të barazonim rezultatin duke futur gjithë lojtarët ofensivë, madje në ndihmë të sulmit aktivizuam edhe Prekën. Fati nuk ishte me ne, goditëm traversën, humbëm raste dhe sigurisht kishim prishur balancat në mbrojtje. Nëse rrezikon, mund edhe ta pësosh, sidomos në dy rastet e fundit ku i kishim prishur balancat duke kërkuar me insistim golin, ashtu si edhe te goli i dytë i Vllaznisë. Dhe ndër të tjera unë jam me atë shprehjen e Murinjos: “Më mirë të humbasësh një ndeshje 5-0 sesa 5 ndeshje nga 1-0”.

A ka një rënie fizike të lojtarëve në këto ndeshjet e fundit?

Fizikisht mund të themi se jemi ndër ekipet që vrapojnë më shumë, skuadra nuk ka asnjë rënie fizike. Kjo nisur edhe nga matjet e parametrave të lojtarëve gjatë ndeshjeve dhe stërvitjeve. Kështu, nuk ka asnjë problematikë sa i takon aspektit fizik.

Përballeni me një kundërshtar si Bylis që lufton për mbijetesë dhe për të cilin edhe një pikë mund të jetë e vlefshme. Sa e vështirë pritet të jetë kjo ndeshje?

E përsëris, çdo ndeshje është e vështirë, sidomos tani që po vjen fundi dhe nuk ke më kohë për rikuperim pikësh. Bylis është një ekip serioz dhe këtë e tregoi në ndeshjen e fundit duke barazuar ndaj Dinamos.

Sa e rëndësishme është të riktheheni te fitorja në këtë moment vendimtar të kampionatit, por edhe në prag të derbit me Tiranën?

E rëndësishme është të vazhdojmë të luajmë mirë, por këtë herë duke i bashkëngjitur lojës edhe rezultatin, sepse duhet të fitojmë për objektivin që ka klubi, për luftën që kemi për të mbërritur në zonën e “Final Four”. Sa i takon derbit me Tiranën, nuk e mendojmë fare çfarë ka javën tjetër, mendojmë vetëm për këtë të diel dhe e gjithë vëmendja jonë është te sfida me Bylisin.

Si është gjendja e grupit, dhe cilat është situata e Skukës?

Situata e grupit paraqitet optimale, shpresojmë që të bashkohet me grupin edhe Fadairo që mungon prej kohësh. Ndërkohë, pas pezullimit rikthehet Atanaskoski. Skuka vazhdon stërvitjen i diferencuar, shpresojmë të bashkohet me grupin javën që vjen.

Keni një thirrje për tifozët në këtë moment delikat të ekipit dhe sezonit?

Sigurisht, duke u kërkuar edhe ndjesë tifozëve për rezultatet e fundit, ndoshta dhe sigurisht nuk janë ato rezultate që meriton një ekip si Partizani, me një tifozëri si “Guerrilsat”. Shpresoj të vijnë të na mbështesin, ne do të djersisim dhe do të luftojmë për çdo centimetër në fushë.

EJGI ÇABELI-PANORAMASPORT.AL