EKSKLUZIVE/ Kombëtarja U-17 pa trajner, tekniku i Kukësit shfaqet si emër kryesor për stolin
Pas një aventure njëvjeçare dhe jo pa debate, Andrea Tedesko ka njoftuar largimin nga pozicioni i trajnerit të Kombëtares shqiptare U-17. “Çfarë udhëtimi! Faleminderit, Shqipëri. Mezi pres për aventurën e radhës,” shkroi vetë trajneri në një postim emocional në rrjetet sociale, duke konfirmuar kështu përfundimin e bashkëpunimit të tij me Federatën Shqiptare të Futbollit në këtë rol.

Ky lajm është një goditje për strategjinë e zhvillimit të futbollit rinor në vend, sidomos pas performancave të dobëta të Kombëtares U-17 në Kampionatin Europian, ku kuqezinjtë nuk arritën të shënojnë asnjë gol, duke u mundur në mënyrë të thellë me rezultatet 4-0 në përballjet kundër përfaqësueseve të fuqishme si Portugalia, Franca dhe Gjermania.
Një nga pikat më të diskutueshme gjatë drejtimit të Tedeskos ka qenë përzgjedhja e lojtarëve për këtë kampionat. Kritikët kanë qenë të shumtë pasi trajneri italian nuk mori asnjë futbollist nga kampionati vendës, një vendim që nxiti debate të mëdha në komunitetin futbollistik shqiptar.
Shumë ekspertë dhe dashamirës të futbollit u shprehën se futbollistët e talentuar shqiptarë të aktivizuar në kampionatin lokal do të kishin mundur të sillnin një tjetër dinamikë dhe energji në ekip, ndërsa mungesa e tyre u pa si një gabim strategjik. Dy takimet e fundit miqësore me Bullgarinë, ku ekipi mori një barazim dhe një humbje e sërish nuk arriti të shënojë qoftë edhe një gol të vetëm, vulosën largimin e italianit, i cili ishte një sugjerim i Drejtorit Teknik në FSHF, Fulvio Pea.
TRAJNERI I RI
Ndërkohë, sipas burimeve të gazetës, zëvendësuesi më i mundshëm i Andrea Tedesko në krye të Kombëtares U-17, është trajneri Fatjon Tafaj. Ky i fundit drejtoi skuadrën e Kukësit gjatë sezonit që sapo u mbyll dhe më herët ka qenë asistent te Dinamo dhe Partizani. Pritjet janë që Tafaj të marrë drejtimin e Kombëtares U17 dhe të sjellë një frymë të re në projektin e zhvillimit të talentëve të rinj shqiptarë. Megjithatë, deri tani nga ana e FSHF-së nuk është bërë asnjë njoftim zyrtar, por Tafaj mbetet alternativa kryesore.
KRISTI SEJATLLARI-PANORAMASPORT.AL













