EKSKLUZIVE/ Firma si trajner i ri i Partizanit? Shkëmbi thotë fjalën e fundit
Partizani vijon punën për të gjetur trajnerin e ri që do të marrë drejtimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm. Të kuqtë po analizojnë disa alternativa, ndërsa drejtuesit synojnë të shmangin gabimet e sezonit të fundit, kur në pankinë u ndryshuan tre trajnerë.

Së fundmi, në skenë doli edhe emri i Bledi Shkëmbit si një alternativë e mundshme për stolin e Partizanit. Megjithatë, në këtë mes nuk ka asgjë konkrete. Si nga ana e trajnerit, ashtu edhe nga ana e klubit kryeqytetas, është konfi rmuar për “Panorama Sport” se nuk ekziston asnjë negociatë dhe se nuk pritet të ketë diçka konkrete edhe në vazhdim. Në ambientin e të kuqve vijon të mbetet e fortë ideja për të emëruar një trajner të huaj.
Drejtuesit besojnë se një teknik nga jashtë mund t’i japë skuadrës një tjetër mentalitet dhe stabilitet për sezonin e ardhshëm. Aktualisht, në “pole position” për stolin e Partizanit vazhdon të jetë emri i Zoran Zekic. Kroati e ka drejtuar më parë skuadrën kryeqytetase në vitin 2023 dhe konsiderohet si një trajner që e njeh mirë ambientin e klubit dhe kërkesat që ka Partizani. Eksperienca e fundit e Zekic ishte te Sarajevo në Bosnje, ndërsa klubi boshnjak po tenton ta rikthejë sërish në stol.
Megjithatë, Partizani nuk është tërhequr nga gara dhe vijon kontaktet me besimin se mund ta bindë trajnerin kroat të rikthehet në kryeqytet. Drejtuesit synojnë që trajneri i ri të vendoset sa më shpejt, në mënyrë që më pas të nisë puna edhe për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ardhshëm.
EJGI ÇABELI – PANORAMASPORT.AL













