EKSKLUZIVE/ “Egnatia është favorite”, flet ish-kapiteni Malota: Do të jetë zhgënjim i madh për Vllazninë, nuk dua të komentoj fazën e katërt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 23, 2026 | 14:13

EKSKLUZIVE/ “Egnatia është favorite”, flet ish-kapiteni Malota: Do të jetë zhgënjim i madh për Vllazninë, nuk dua të komentoj fazën e katërt

Superiorja ka hyrë në fazën e fundit të kampionatit dhe ka zhvilluar ndeshjet e para të “Final 4”. Rezultatet surprizë nuk kanë munguar dhe në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, Renato Malota shprehet se këto rezultate, kanë ndryshuar edhe favoritet për të fituar titullin. Ai sheh Egnatian si të favorizuar teksa pranon se nëse Vllaznia nuk e fiton, për ta do të jetë një zhgëënjim i madh.

malota

Renato, u mbyll sezoni i rregullt i Superiores dhe dha deri diku verdiktet e tij. Si e ke parë këtë sezon të Superiores?
Mendoj që ka qenë një kampionat interesant në tre fazat e para, ku ekipet pretendente si Vllaznia, Egnatia dhe Elbasani po zhvillonin një luftë të bukur mes tyre. Edhe ekipet që luftonin për mbijetesë kanë bërë paraqitje dinjitoze. Fazën e fundit të Superiores, për arsye të ndryshme, nuk dua ta komentoj shumë.

Cilat janë skuadrat që për mendimin tënd kanë zhgënjyer dhe kanë dështuar?
Për të qenë i sinqertë, do të veçoja Partizanin, sepse është një ekip i madh me investime të konsiderueshme dhe minimumi i pritshmërive ishte pjesëmarrja në Europë. Mendoj se dëmtimet ndikuan shumë dhe në fund të sezonit patën një rënie të theksuar. Gjithashtu do përmendja Flamurtarin, i cili u investua shumë dhe afroi lojtarë me kontrata të rëndësishme, por përfundoi në fund të tabelës.

Ndërkohë ka nisur “Final 4”. Si i ke parë ndeshjet e para?
“Final 4” është bërë shumë interesante pas ndeshjeve të para. Egnatia ka dalë si pretendente kryesore për titull, edhe pse më parë ishte pothuajse jashtë garës. Nga ana tjetër, Vllaznia bëri një gabim të rëndë ndaj Dinamos. Nëse nuk arrijnë të fitojnë kampionatin, do të ishte një dështim i madh për Vllazninë dhe një zhgënjim i madh për tifozët shkodranë.

A mendon se ka ndryshuar diçka në garën për titull? Cilën sheh më të favorizuar?
Gara është plotësisht e hapur. Mendoj se Vllaznia dhe Egnatia kanë shanse 50 me 50. Egnatia bëri një paraqitje shumë të mirë ndaj Elbasanit dhe nëse vazhdon në atë nivel edhe ndaj Vllaznisë, mund të shpallet kampione për herë të tretë. Nga ana tjetër, Vllaznia ka një mundësi të madhe, dhe edhe një barazim do ta afronte shumë drejt titullit.

Vllaznia u mund ndaj Dinamos me skuadër të gjysmuar. A e prisje këtë rezultat dhe a ndikon te shkodranët?
Kurrsesi nuk e prisja, aq më tepër që edhe Dinamo kishte mungesa të rëndësishme. Nga ajo ndeshje që kam parë nga afër, Vllaznia ishte thuajse e “fikur” që në start. Mendoj se presioni i madh ndikoi te disa lojtarë. Vllaznia kishte mundësinë të bënte një hap shumë të madh drejt trofeut, por nuk e shfrytëzoi. Tani mbetet për t’u parë reagimi në ndeshjen e radhës, ku lojtarët me eksperiencë duhet të marrin më shumë përgjegjësi.

Duke qenë se ke luajtur në Shkodër, çfarë ka ndikuar që Vllaznia nuk fiton titullin prej shumë vitesh?
Vllaznia vitet e fundit ka pasur shumë oshilacione, pra ka qenë një ekip pa stabilitet. Edhe menaxhimi jo gjithmonë i mirë ka ndikuar. Me ardhjen e presidentit Xhaferri, gjërat kanë ndryshuar për mirë, por ende pa arritur të fitohet titulli, edhe për shkak të konkurrencës së fortë nga ekipe si Tirana, Partizani dhe së fundmi Egnatia. Mendoj se ky mund të jetë viti i duhur për Vllazninë.

Sezonin tjetër do të jeni në Kategorinë e Parë me Besëlidhjen. Çfarë prisni nga ky sezon?
Jemi një ekip i ri, por me ambicie të mëdha. Po punojmë për ndërtimin dhe konsolidimin e skuadrës që vitin e ardhshëm të kemi një ekip pretendues për ngjitje në Superiore. Kjo kërkon shumë punë, përkushtim dhe kohë. Së bashku me presidentin Fushaj do të bëjmë maksimumin për ta çuar Besëlidhjen drejt majave të futbollit shqiptar.

Si e konsideron sezonin tënd të parë si drejtor sportiv? A ndihesh gati për të vijuar në një klub të elitës?
Është një eksperiencë dhe një epokë e re për mua. Shumë gjëra janë ndryshe nga ato që kam përjetuar si futbollist. Është një përgjegjësi e madhe, por mendoj se kam njohuritë dhe eksperiencën e duhur për ta përballuar. Fillimi ishte shumë i vështirë, pasi e morëm ekipin nga pika zero, por besoj se ia dolëm me sukses. Jam i fokusuar vetëm te Besëlidhja dhe pjesë e një projekti shumë ambicioz, ku synojmë ngjitjen në Superiore dhe krijimin e një prej akademive më të mira në Shqipëri.

ERJON ALLARAJ – PANORAMASPORT.AL