Egnatia në Tiranë, provë karakteri ndaj Partizanit/ Kartonët e kuq po kërcënojnë ecurinë e kampionëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 23, 2025 | 21:58

Egnatia në Tiranë, provë karakteri ndaj Partizanit/ Kartonët e kuq po kërcënojnë ecurinë e kampionëve

Egnatia është duke i dhënë dorën e fundit përgatitjeve në kuadër të ndeshjes që do të ketë këtë fundjavë ndaj Partizanit në kryeqytet. Një përballje mes rivalësh të vjetër në këto pesë sezonet e fundit të Superiores, edhe pse këtë edicion është Egnatia që ka bërë nisjen më të mirë. Të besuarit e Edlir Tetovës duan të vazhdojnë me ecurinë pozitive dhe të mos i ndahen Vllaznisë kryesuese.

egnatia

Mënyra e vetme për ta bërë këtë dhe për të mos e komplikuar situatën është vetëm fitorja në transfertën e Tiranës. Në këtë sfidë, rrogozhinasit do të jenë të privuar nga mbrojtësi titullar Arbenit Xhemajli për shkak kartonësh, një mungesë që pritet të sjellë ndryshime në repartin e prapavijës. Megjithatë, stafi teknik ka punuar gjatë javës për të gjetur ekuilibrat e duhur në formacion dhe për të mbajtur nivelin e qëndrueshëm që skuadra ka treguar deri më tani.

NERVOZIZMI – Pavarësisht se në pamje të parë rrogozhinasit janë në rrugën e duhur për të mbajtur sërish titullin në shtëpi edhe këtë sezon, ka ende elementë që sjellin shqetësim në kampin e kampionëve. Duket se skuadra është më nervoze se ç’duhet dhe kjo po pasqyrohet qartë në numrin e lartë të kartonëve, sidomos atyre të kuq.

Në shtatë ndeshje të luajtura deri tani, Egnatia ka pësuar plot katër përjashtime nga fusha, një mesatare jo e zakonshme për një skuadër që kërkon stabilitet dhe qetësi në lojë. Më konkretisht, Daniel Votlai hapi “serinë” që në ndeshjen hapëse ndaj Vllaznisë, ndërsa më pas Abdurraman Fangaj dhe Xhefersoni u ndëshkuan në përballjen me Elbasanin në javën e dytë. Pas një periudhe katër javore ku munguan kartonët e kuq dhe skuadra mori katër fitore radhazi, në duelin e fundit me Dinamon u ndëshkua sërish Arbenit Xhemajli.

Duket si ironi, por faktet tregojnë se në ndeshjet ku kampionët nuk marrin kartonë të kuq, ata arrijnë të fitojnë, ndërsa në ato ku humbasin qetësinë, pikët rrëshqasin nga duart.

Ky aspekt është bërë një prej çështjeve që Tetova e ka trajtuar shpesh edhe në analizat me skuadrën, me qëllim që Egnatia të ruajë fokusin dhe të mos dëmtojë veten me vendime impulsive gjatë ndeshjeve. Sfida ndaj Partizanit do të jetë një provë karakteri, jo vetëm për rezultatin, por edhe për vetëkontrollin e një skuadre që kërkon të konfirmojë statusin e saj si më e forta në vend.

EGNATIA

EUROPA – Ky nervozizëm nuk është shfaqur vetëm në kampionat, por ka nisur që para fillimit të tij, që në ndeshjet europiane. Abdurraman Fangaj dhe Muhamed Jahaja ishin ata që “hapën siparin” e kartonëve të kuq këtë sezon, duke u ndëshkuar në dy përballjet me Olimpija Ljubljanën, ku u eliminuan edhe nga kupat e Europës.

Mesa duket, sezoni nuk ka nisur me këmbën e duhur sa i përket ndëshkimeve dhe të kuqtë në Europë nuk kanë qenë thjesht rastësi, por ndoshta Egnatia është më nervoze se sa nevojitet këtë sezon.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL