E mbylli me Vllaznimin, mbrojtësi Kastrati kërkon kthimin në Shqipëri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 14, 2025 | 19:12

E mbylli me Vllaznimin, mbrojtësi Kastrati kërkon kthimin në Shqipëri

Pas një eksperience disamujore me skuadrën e Vllaznimit të Gjakovës, pjesëmarrëse në edicionin e fundit në Ligën e Parë të Kosovës, mbrojtësi Endrit Kastrati ka ndarë rrugët me klubin “dardan”. Me shumë mundësi, ish-mbrojtësi i Burrelit dhe i Pogradecit do të rikthehet në Shqipëri.

Screenshot 2025-06-14 191134

Një fakt të tillë e bën të ditur për “Panorama Sport” vetë mbrojtësi nga Drenasi. “Në përfundim të sezonit të fundit, vendosa të shkëpus marrëdhëniet me skuadrën e Vllaznimit, kjo për arsye kontraktuale dhe tashmë jam futbollist i lirë”, u shpreh shkurt rreth këtij argumenti për gazetën mbrojtësi 27-vjeçar. Pas “divorcit” me skuadrën gjakovare, në adresë tij kanë mbërritur disa oferta, jo vetëm nga skuadrat e Ligës së Parë të Kosovës, por edhe nga Kategoria e Parë në Shqipëri.

“Gjatë kësaj periudhe merkatoje, më kanë ardhur disa oferta, jo vetëm nga Shqipëria, por dhe nga klube në Kosovë. Do të studioj në detaje çdo ofertë që do të më vijë. Dëshira për një rikthim në Shqipëri në Kategorinë e Parë është më se e mundur, kjo edhe falë eksperiencës që kam në këtë kampionat”, deklaroi ish-mbrojtësi i Burrelit dhe Pogradecit.

Edicionin e fundit, mbrojtësi e nisi si pjesë e skuadrës pogradecare, por gjatë merkatos së dimrit, Endrit Kastrati u rikthye në Kosovë te skuadra e Vllaznimit, me shpresën që do të ngjiteshin në Superligën kosovare. Me skuadrën gjakovare, ai u aktivizua në 15 ndeshje. Mbetet për të parë se cili do të jetë destinacioni i ri i mbrojtësit Kastrati, i cili e pranon se drejtimin e ka nga Kategoria e Parë në Shqipëri.

NDERIM GOCI-PANORAMASPORT.AL