Dy beteja në Farkë, volejbolli luan sot finalet e Kupës së Shqipërisë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 6, 2026 | 13:09

Dy beteja në Farkë, volejbolli luan sot finalet e Kupës së Shqipërisë

Më pak se një javë nga finalet e Ligës “Gjergj Kastrioti”, event i përbashkët për klube mes Shqipërisë dhe Kosovës, Farka do të jetë sot vendi i betejës për një tjetër kompeticion të rëndësishëm të volejbollit. Në palestrën e sallës periferike të kryeqytetit do të luhen finalet e Kupës së Shqipërisë për meshkuj dhe femra, takime që premtojnë emocione dhe spektakël.trMESHKUJT – Fillimisht në parket do të zbresin meshkujt, me finalen e Kupës që ofron derbin ndërmjet Partizanit dhe Tiranës, sfidë që do të nisë në orën 17:00. Të kuqtë e Ylli Tomorrit, përveçse kampionë, janë fitues edhe në dy edicionet e fundit të Kupës, ndërsa do të kërkojnë trofeun e 17-të në këtë kompeticion. Nga ana tjetër, bardheblutë numërojnë 9 trofe në Kupë, me skuadrën e Arben Sakos që pritet të japë gjithçka për të mbërritur te Kupa e dhjetë në historinë e klubit. Partizani mbetet favorit në këtë takim, qoftë për organikën kualitative, por gjithashtu edhe për besimin e një grupi që prej tri sezonesh po komandon në sportin e rrjetës në Shqipëri, duke mos u lënë asgjë kundërshtarëve. Të kuqtë, javën e kaluar ngritën lart edhe trofeun mbarëkombëtar të Ligës “Gjergj Kastrioti”. Tashmë fati i kompeticionit të dytë më të rëndësishëm në arenën kombëtare do të varet nga një ndeshje, me dy ekipet kryeqytetase që janë gati të luftojnë për çdo top, për të bërë të tyrin trofeun.2

FEMRAT – Në mbrëmje, në orën 19:30, në parketin e Farkës do të zbresin Pogradeci dhe Tirana për finalen e Kupës së Shqipërisë në radhët e femrave. Një sfidë elektrizuese që garanton spektakël. Skuadra liqenore, e drejtuar nga Besnik Lisha, po zhvillon një sezon të madh dhe nuk ka asnjë humbje gjatë këtij edicioni, ndërsa pak ditë më parë triumfoi edhe në Ligën “Gjergj Kastrioti”. Për këtë takim klubi ka vendosur në dispozicion të sportdashësve edhe një autobus për ata që do të kenë dëshirë të udhëtojnë nga Pogradeci për të ndjekur finalen e Kupës. Ndërkohë, duke kaluar në kampin bardheblu, Tirana përveçse kampione në fuqi është gjithashtu edhe fituese në edicionin e fundit të Kupës. Kryeqytetaset e trajnerit Adrian Gorenca mbeten një kockë e fortë, ndërsa mund të mbështeten te një lojtare si Enkeleda Braho, e cila është rregullisht e abonuar me vlerësimet MVP, aq më tepër kur në mes luhet për trofe. Për sa i përket historikut, Pogradeci nuk ka mundur ta fitojë asnjëherë Kupën e Shqipërisë, ndërsa Tirana numëron 12 suksese në këtë event.

3

PANORAMASPORT.AL