Duel “zjarri” në Pogradec, Çela dhe Smajli synojnë majat
Pogradeci–Iliria është pa dyshim një nga ndeshjet më interesante dhe më vendimtare të javës në Kategorinë e Parë.
Dy skuadra me objektiva të qarta, me stil lojë ofensiv dhe me ambicie të forta për zonën e sipërme të renditjes, do të përballen këtë të shtunë në stadiumin “Gjorgji Kyçyku”, në një sfidë që pritet të dhurojë ritëm, gola dhe emocione.
Pogradeci, aktualisht në vendin e tretë me 21 pikë, vjen në këtë takim me moral të lartë pas fitores me vlerë në transfertë ndaj Lushnjës. Ekipi liqenor ka treguar stabilitet dhe efikasitet, veçanërisht në repartin e sulmit. Trajneri Çela ka të gjithë grupin në dispozicion dhe pritet të hedhë në fushë formacionin më në formë, me synimin e qartë, tri pikët. Për Pogradecin, kjo ndeshje është shumë më tepër sesa një përballje e radhës. Është testi i karakterit, ndeshja që mund të konfirmojë pretendimet reale.
Një fitore i konsolidon në “Top-3” dhe i mban në ndjekje direkte të Laçit, që mban vendin e dytë vetëm një pikë larg. Në krahun tjetër, Iliria e trajnerit Dritan Smajli ka qenë surpriza më e bukur e këtij sezoni. Fushëkrujasit renditen në vendin e katërt me 17 pikë dhe kanë impresionuar me lojën e balancuar dhe shpirtin e garës. Starti i fazës së dytë ka qenë pozitiv, një barazim me vlerë në transfertë ndaj Laçit, edhe pse tri pikët ishin shumë afër.
Megjithatë, për sfidën në Pogradec, Iliria do të përballet me disa mungesa të rëndësishme. Elion Stafa, Bruno Arrabal dhe Sherif Dieje janë pezulluar për shkak të kartonëve të verdhë, çka e vë staf teknik përpara zgjedhjeve të detyruara. Pavarësisht kësaj, besimi në grup mbetet i lartë dhe alternativa të vlefshme nuk mungojnë. Nga ky duel pritet spektakël, luftë sportive dhe ritëm i lartë. Dy trajnerë ambiciozë, dy skuadra që sulmojnë dhe dy tifozëri që presin vetëm fitore. As Pogradecit dhe as Ilirisë nuk i bën punë barazimi në garën e ngushtë për vendet e para, ndaj kjo ndeshje premton tension dhe emocione deri në sekondat e fundit.
PANORAMASPORT.AL













