Dinamo përgatit Bylisin mes… provokimeve! Shqetësojnë 2 humbjet te “Nëndetësja”
Dinamo po kalon një moment mjaft të vështirë në kampionat, ku fitorja bindëse ndaj Vllaznisë pak javë më parë, duket si një mirazh pasi është pasuar nga dy humbje radhazi.
Elbasani e mundi pak ditë më parë në “Elbasan Arena”, teksa vetëm 2 ditë më parë e mundi edhe Teuta në ndeshjen e prapambetur për javën e parë të kampionatit. Këto dy humbje, kanë sjellë edhe pakënaqësitë e para në kampin dinamovit, ku veç kontestimeve për gjykimin, ka pasur edhe kritika të shumta për futbollistët dhe mënyrën se si janë paraqitur në fushë.
ANALIZA- Dinamo nuk ka shumë kohë për të humbur dhe menjëherë ka nisur përgatitjet për ndeshjen e së dielës, ku në “Selman Stërmasi” do të presë skuadrën e Bylisit. Kryeqytetasit kanë nisur ditën e djeshme përgatitjet për sfidën e radhës ku detyrim është vetëm fitoja. Para stërvitjes, stafi teknik ka bërë një analizë më të detajuar me futbollistët, për të parë problemet që kanë çuar në rezultatet negative të dy ndeshjeve të fundit, ndërkohë që besimi në kampin dinamovit është i madh se momenti i keq ka kaluar dhe se ndaj Bylisit do të ketë reflektim.
PROVOKIMI- Dinamo ka mbyllur më në fund “shtegtimin” dhe ndaj Bylisit do të rikthehet për të luajtur në stadiumin “Selman Stërmasi”. Vetë klubi e ka konfirmuar diçka të tillë në rrjetet sociale, ku edhe nuk i ka kursyer ironitë ndaj Tiranës, duke iu kujtuar se emri i stadiumit është “Dinamo”. “Në zemër të Tiranës së Re, aty ku prej dekadash zemra rreh blu, stadiumi Dinamo është gati të presë tifozët e saj! Është koha të jemi bashkë, më shumë se kurrë. Historia vazhdon”, shkruan klubi dinamovit në rrjetet sociale.
GJENDJA E SKUADRËS-Dinamo do të ketë dy mungesa të rëndësishme ndaj Bylisit, e gjithashtu do të ketë një rikthim të rëndësishëm. Naser Aliji i pezulluar ndaj Teutës për karton të kuq, do të rikthehet në ndeshjen e javës së katërt duke shtuar garancinë në mbrojtje, ndërkohë që mungesa do të jenë dy. Nani u ndëshkua ndaj Teutës me karton të kuq, ndërkohë që Guindo vazhdon të jetë i dëmtuar. Sulmuesi ende nuk po arrin të ndihmojë skuadrën për shkak të dëmtimit të pësuar pak ditë më parë në stërvitje dhe ndaj Bylisit, stafi teknik mund ta lërë sërish pushim pasi ditën e djeshme, ai është stërvitur individualisht, teksa i gatshëm është edhe Ledio Beqja.
ERJON ALLARAJ-PANORAMASPORT.AL













