Dinamo e nis Superioren ndaj Vllaznisë, synim titulli i 19-të
Dinamo mbylli aventurën në Ligën e Konferencës me një barazim 1-1 në stadiumin “Air Albania”, ndaj skuadrës polake se Jagellonias. Të besuarit e Dajës besuan deri në fund, teksa goli i shënuar nga Bregu ngjalli edhe shpresat për përmbysjen e madhe, por shpresat zgjatën pak pasi miqtë barazuan ndeshjen duke e çuar rezultatin e përgjithshëm 1-4.

KAMPIONATI – Debutimi i Dinamos në Superiore për këtë sezon, do të jetë të dielën ndaj Vllaznisë, skuadra e cila sezonin e fundit i eliminoi në fazën e “Final 4”, duke i hequr mundësinë e titullit kampion. Në javën e parë të Superiores, Dinamo duhej të luante me Teutën, por për shkak të angazhimit në Ligën e Konferencës, klubet ranë dakord për të shtyrë ndeshjen, e cila është vendosur që të luhet në datën 5 shtator në stadiumin “Niko Dovana”.
DAJA- Kryeqytetasit do ta nisin kampionatin pa teknikun Ilir Daja, i cili në ndeshjen e parafundit të Final 4 ndaj Vllaznisë, u dënua me 6 ndeshje pezullim për shkak të gjesteve josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes. Në total, Daja do të shlyejë edhe 5 ndeshje të tjera, pasi të parën e ka shlyer në finalen e vendit të tretë, atë ndaj Partizanit ku në stol ishte pikërisht djali i tij, Glen Daja.
LARGIMET- Sezonin e ri, skuadra e Dinamos nuk do të ketë shërbimet e dyshes së sulmit, Itodo-Zabërgja të cilët vetëm pak ditë më parë u larguan nga kryeqyteti, duke firmosur në kampionatin ukrainas me skuadrën e Metalist. Si Zabërgja, ashtu edhe Itodo ishin dy futbollistët më të dalluar në sezonin e fundit, me të cilët Dinamo u rikthye në Europë si edhe fitoi Kupën e Shqipërisë ndaj Egnatias.
BERISHA- Dinamo ka qenë aktive në këtë merkato vere, duke larguar plot 5 futbollistë, si edhe duke afruar 6 të tjerë. Goditja më e madhe e merkatos së verës, ishte pikërisht afrimi i Bernard Berishës i cili dikur linte gjurmë me fanellën e Skënderbeut, para se të largohej në drejtim të kampionatit rus, aty ku firmosi fillimisht me Anzhin, e më pas kaloi te skuadra e Akhmat Groznit, duke qëndruar në Rusi për plot 10 sezone.
PANORAMASPORT.AL













