“Di ku duhet të vendos duart”, Moriero thërret përforcime nga Italia për Flamurtarin. Zyrtarizohet afrimi i ri te kuqezinjtë
Flamurtari nuk ia doli përsëri të gjente fitoren në kampionat, teksa u mund këtë javë nga Partizani në Vlorë. Një debutim i hidhur në Superiore me këtë skuadër për trajnerin Françesko Moriero, i cili gjithsesi ka marrë “mësime” nga dueli me të kuqtë.

“E di ku duhet të vendos duart”, tha ai pas sfidës, duke treguar se kishte kuptuar se cilat ishin problemet ku duhej të ndërhynte ai. Dhe një prej tyre duket se është aspekti fizik, pasi trajneri pranoi se skuadra kishte pësuar një rënie fizike në pjesën e dytë.
Për këtë arsye, ai ka sjellë “përforcime” nga Italia për t’ua bashkuar kuqezinjve. Flamurtarit i është bashkuar përgatitësi atletik italian, Kristian Parabita, i cili do të ketë për detyrë ringritjen e kuqezinjve në aspektin fizik.

Parabita ka qenë nën kontratë me FC Nola në Serinë D në Itali, por klubi sot bëri të ditur se ishte ndërprerë me marrëveshje ky bashkëpunim në mënyrë që ai t’i bashkohej Morieros në Shqipëri. Kjo është hera e dytë që Parabita vjen në vendin tonë, pasi ka qenë në këtë rol edhe në radhët e Dinamos, kur ajo drejtohej pikërisht nga Moriero.
PANORAMASPORT.AL













