Dështoi në Europian dhe lojtarët nuk e duan, trajneri italian i Shqipërisë U17 vazhdon punën dhe zhgënjen në dy miqësoret e qershorit
Kombëtarja shqiptare U17 ka lënë pas krahëve pjesëmarrjen zhgënjyese në Europianin e kësaj grupmoshe që u zhvillua në vendin tonë dhe ka nisur përgatitjet me brezin e ri të lojtarëve që do të marrin pjesë në eliminatoret e edicionit të radhës. Dhe puna ka filluar me të njëjtin trajner, italianin Andrea Tedesko, i cili ka drejtuar së fundmi ekipin në dy miqësore ndaj Bullgarisë.

Bilanci i këtyre ndeshjeve ishte një humbje 2-0 dhe më pas një barazim pa gola për kuqezinjtë e vegjël, të cilët janë pjesë e këtij brezi të ri. Dy ndeshje që konfirmojnë se puna do të vazhdojnë nën drejtimin e trajnerit italian, ndonëse deri tani ajo ka lënë shumë për të dëshiruar.
Kjo duket edhe nga fjalët e vetë futbollistëve kuqezinj që morën pjesë në Europianin e U17, pasi sulmuesi Arman Durmishi e tha hapur mendimin e tij kundër Tedeskos.
“Europiani ishte shumë i bukur, luajtëm me skuadra të forta, por besoj se edhe ne jemi shumë lojtarë të fortë, por kur e kemi trajnerin që nuk di çfarë të bëjë me këto lojtarë të fortë është pak ndryshe të luaj, dhe për të fituar është pak rëndë. Për këto lojtarë që kena dhe jemi shumë të fortë në skuadër, besoj na duhet një trajner më i fortë”, ishin fjalët e sulmuesit shqiptar.
PANORAMASPORT.AL













