“Deja Vu” nga vjet, Dinamo sheh derbin me Tiranën si shpëtim
Dinamo po kalon një moment të vështirë dhe në fazën e dytë ende nuk e ka shijuar fitoren e parë. Barazimi i fundit në Ballsh, e thellon më shumë “rekordin” e ndeshjeve pa fitore dhe tashmë ka shkuar në 4 sfida. Për herë të fundit, Dinamo ka fituar në përballjen me Partizanin në derbi dhe pikërisht në derbi tjetër, këtë herë ndaj Tiranës, blutë do të synojnë që të rikthehen te fitorja që mund të rikthejë edhe buzëqeshjen në skuadër.

Kjo ecuri, pak mund të pritej nga blutë duke qenë se Dinamo e sheh veten në kuotën e 20 pikëve dhe aktualisht është jashtë “Final 4”, pasi fitorja e Teutës në Shkodër, e ka zbritur Dinamon në vendin e pestë megjithatë diferenca mes të gjitha skuadrave, vazhdon të jetë shumë e ngushtë. Në fazën e parë, Dinamo e kaloi një “mini krizë” dhe më pas u rikthye te fitoret, gjë të cilën e ka bërë edhe sezonin e shkuar, por ndryshe nga ky sezon, vjet Dinamo humbiste shumë pak ndeshje.
SEZONI 2024-2025- Dinamo e provoi edhe sezonin shkuar që të mos fitonte në katër ndeshje radhazi dhe këtë e bëri në një nga momentet më të rëndësishme të kampionatit. Në javën e 21-të, Dinamo mundi Elbasanin dhe më pas barazoi në 4 sfidat e radhës, kundër Partizanit, Skënderbeut, Teutës e Vllaznisë. Duhej të vinte ndeshja me Laccin në shtëpi, që Dinamo të rikthehej te fitorja për t’i dhënë fund momentit të vështirë që po kalonte. Por, nuk ishte ky momenti i vetëm i vështirë pasi edhe në fund të sezonit, Dinamo vuajti jo pak megjithëse forma nuk ishte në ndeshje radhazi. Kështu, në 7 ndeshjet e fundit, blutë morën 1 fitore, 2 barazime dhe pësuan 4 humbje të tjera, nga të cilat, 3 hhumnje ishin radhazi në 3 javët e fundit të kampionatit, përkatësisht ndaj Vllaznisë, Laccit dhe Tiranës. Tani, i mbetet që Dinamo të fitojë derbin e së mërkurës për të kaluar këtë moment.
TIRANA SHPËTIM- Në fazën e parë, Dinamo pësoi 2 humbje radhazi ndaj Elbasanit dhe ndaj Teutës, teksa barazoi edhe në shtëpi ndaj Bylisit në javën e tretë. Në derbin ndaj Tiranës, skuadra e Dajës arriti të rikthehej te fitorja duke e mundur me rezultatin 1-2 për t’u rikthyer te rezultatet pozitive. Më pas, Dinamo arriti të fitonte edhe ndaj Flamurtarit dhe kjo ecuri, e ndihmoi që të fitonte terren mes më të mirave në garën për “Final 4”.
MBROJTJA NË FORMË- Pavarësisht momentit të vështirë, Daja duhet të kënaqet me formën që mbrojtja e Dinamos po kalon. Prapavija e bluve është bërë hermetike dhe pëson shumë pak, megjithëse ka pasur luhatje të shumta skuadra dhe kanë munguar fitoret. Aktualisht, Dinamo ka mbrojtjen më të mirë në kampionat, me vetëm 6 gola të pësuar në 13 javë, ndërkohë që pas tyre renditet Elbasani i vendit të parë me 1 gol më shumë të pësuar në këto javë të para.
PANORAMASPORT.AL













