Bylisi me llogari, 10 pikë e shpëtojnë nga rënia
Bylisi kishte shkuar në tri ndeshje radhazi që nuk humbiste, duke krijuar stabilitet dhe lojë të bukur, madje duke mposhtur ekipe si Vllaznia e Vora, por edhe duke marrë pikë në Elbasan. Ballshiotët ndaj Tiranës edhe pse zhvilluan një lojë mjaft të mirë, shpërdoruan së paku tri raste flagrante, në fund e humbën sfidën, madje me një gabim, që nisi nga Adeduro dhe nga Dimov, në pasimin e gabuar të topit.

Ballshiotët pësuan një disfatë të pamerituar, për atë që dhanë në fushën e blertë, e megjithatë, dje kanë dalë në fushën e stërvitjes, sepse kanë një tjetër duel interesante dhe vendimtar për mbijetesën në elitë. Ndonëse u ndalën edhe rivalët e tjerë në betejën e mbijetesës, siç janë Vora e Flamurtari, duket se fitorja e Tiranës e ka bërë edhe më të vështirë garën në katër vendet e fundit në renditjen e Superiores.
Bylisi tashmë mendon për ndeshjen e radhës me Flamurtarin, e cila luhet të shtunën në Ballsh. Një duel mjaft I fortë, me vlonjatët që janë më ndryshe dhe me mallakastriotët që duan rikthimin te fitorja, për më tepër që luajnë me një rival, por edhe në stadiumin e tyre.
Trajneri Mirel Josa dhe stafi kanë kërkuar nga skuadra përqendrim tek sfida e radhës, ndërsa kanë analizuar edhe rastet e shpërdoruara ndaj bardhebluve, teksa Bylisi goditi edhe shtyllën. Ballshiotët kanë tashmë katër ndeshje në shtëpi dhe katër në transfertë, të gjitha shumë të vështira. Bylisi duhet që të grumbullojë më shumë se 10 pikë, që të jetë larg dy vendeve të fundit.
ERJON SALIU – PANORAMASPORT.AL













