Botërori mbeti ëndërr, Shqipëria me sytë nga Europiani. Rivalët e radhës shkëlqejnë në miqësore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 27, 2026 | 21:42

Botërori mbeti ëndërr, Shqipëria me sytë nga Europiani. Rivalët e radhës shkëlqejnë në miqësore

Humbja përballë Polonisë i ka dhënë fund ëndrrës së Botërorit për Shqipërinë e cila tashmë duhet të mendojë për Europianin duke filluar që nga miqësorja me Suedinë. Objektivi është Europiani 2028 dhe rrugëtimi drejt tij nis me Ligën e Kombeve.

kombetarja

Shqipëria bën pjesë në Ligën C në një grup me Finlandën, Bjellorusinë dhe San Marinon. Fitorja e grupit nuk të çon vetëm në Ligën B, por paralelisht të siguron edhe një vend në play-off për Euro 2028, sido që të shkojë kualifikimi i mirëfilltë për aktivitetin gjatë vitit 2027. Dhe duket se rivalët e Shqipërisë janë në formë.

Finlanda ka luajtur sot një miqësore me Zelandën e Re në fushën e kësaj të fundit, që është një prej ekipeve pjesëmarrëse në Botërorin 2026, duke fituar me shifrat 2-0. I zakonshmi Pohjanpalo dhe Oksaninen vulosën këtë fitore për nordikët që duket se do të jenë rivalët kryesorë në grupin e Shqipërisë.

Ndërkohë, Bjellorusia ka luajtur miqësore dje me Qipron në transfertë dhe ka fituar atje me shifrat 1-0, falë një goli të Tikhomirov që në pjesën e parë të takimit. Skuadra bjelloruse ka pësuar një rënie gjatë viteve të fundit, por rezultati ndaj Qipros tregon se edhe ajo mund të sjellë telashe për kuqezinjtë në objektivin e parë pas kualifikuesve të Botërorit.

E.KUKA-PANORAMASPORT.AL