BASKETBOLL/ Liga Unike, Peja 03 dominon kundër Partizanit në Tiranë
Liga Unike e basketbollit të femrave ka vijuar dje me javën e tretë të sezonit të rregullt me ndeshjen ndërmjet Partizanit dhe Pejës 03.
Skuadra kosovare komandoi në pallatin e sportit “Asllan Rusi”, duke dalë fituese me rezultatin e thellë 63-97, për të regjistruar suksesin e tretë në po kaq sfida të zhvilluara, ndërsa nga ana tjetër të kuqet pësuan humbjen e tretë. Ndeshja dhuroi rivalitet vetëm në periodën e parë, fraksion që u mbyll në ekuilibër të plotë, 22-22.
Më pas vajzat pejane ndryshuan marsh dhe nisën të dominojnë në çdo aspekt, duke e marrë periodën e dytë thellë 14-27, për të shkuar në pushimin e madh me avantazhin e përgjithshëm 36-49. Edhe me rikthimin në parket për periodën e tretë, Peja 03 ishte superiore, teksa fitoi periodën e tretë 10- 20, për të thelluar në 46-69 pas 30 minutash lojë. Çereku iu katërt nuk ndryshoi asgjë, vetëm sa e rriti edhe më tej epërsinë e mikeve, me Pejën që fitoi 17-28, duke vulosur kështu suksesin final me +34 pikë avantazh.
Powell me 32 pikë, 14 kërcime dhe 2 asistime si dhe Jeferson me 20 pikë, 13 kërcime dhe 7 asistime ishin protagonistet kryesore në suksesin e skuadrës kosovare. Për Partizanin, në kuotë dyshifrore pikësh mbërritën vetëm Lalaj (16), Evans (15) dhe Baraj (10). Java e tretë e Ligës Unike do të kompletohet sot me një sfidë mes ekipeve të Shqipërisë, teksa Flamurtari pret Tiranën në Vlorë, ndeshje që startin në orën 18:00.
PANORAMASPORT.AL













