Administratori ia shtron me mish e birra me stafin. Idrizi bën aheng në lagje, Osmani e Curri pranë Flamurtarit
Tefik Osmani, drejt Flamurtarit. Pasi ndau rrugët me Vllazninë pas finales së humbur me Egnatian në “FINAL 4”, korçari që mbante në Shkodër detyrën e drejtorit sportiv, pritet që të marrë të njëjtën detyrë edhe në Vlorë.
Lajmi konfirmohet nga burime konfidenciale pranë klubit vlonjat, ndërsa “Panorama Sport” e zbuloi këtë lëvizje para disa ditësh, lajm i cili është përcjellë te lexuesi fill pas mbarimit të sezonit të rregullt, që përfundoi më 20 prill. Vetë Osmani do ta driblonte këtë lajm, pasi asokohe ishte ende në detyrë te Vllaznia. “Takim me Sinan Idrizin e Flamurtarit? E kam takuar në kryeministri, nuk e di e ka thirrur për aeroportin dhe stadiumin, kurse mua më ka thirrur për të pranuar për deputet, por nuk e kam pranuar sepse kam dashur formacionin e sigurt. Duke ditur që nuk di ta luaj lojën e politikës”, do të deklaronte korçari, që njihet për batutat e tij. Megjithatë, e vërteta është se ai ka pasur një takim me presidentin e klubit Sinan Idrizi. Pas largimit nga Vllaznia janë shtuar zërat dhe madje e bëjnë fakt mbylljen e marrëveshjes mes Tefik Osmanit dhe Flamurtarit, që shumë shpejt pritet ta zyrtarizojë si drejtor sportiv të klubit. Mësohet se Idrizi ka marrë për këtë lëvizje edhe miratimin e trajnerit Artim Pollozhani.
DEBATIK CURRI
Në Vlorë shfaqet Debatik Curri. Nuk është çudi që ish-lojtari i Kombëtares Shqiptare, si dhe ish-trajner i Prishtinës, të rikthehet te Flamurtari, por tashmë me një rol drejtësi në klub. Gjatë orëve të fundit, Curri është parë në Vlorë, ndërsa nuk dihet nëse ka zhvilluar një takim me Sinan Idrizin. Shanset janë të mëdha për një bashkëpunim mes palëve, në një kohë kur Idrizi po projekton Flamurtarin si një strukturë dinjitoze në Superiore. 41-vjeçari erdhi si një blerje e bujshme si futbollist te kuqezinjtë në sezonin 2015-2016. Më tej, ai u zhvendos te Prishtina, ku edhe mbylli karrierën si futbollist dhe më pas provojë edhe aventurën si trajner. Megjithatë, mbetet pak e paqartë se çfarë detyre mund t’i besohet Currit te Flamurtari, por në klub ka vend për të gjithë.
RIKONFIRMIMET NË STAF
Bashkë me trajnerin Artim Pollozhani, Sinan Idrizi ka konfirmuar tashmë edhe qëndrimin e tre të tjerëve. Bëhet fjalë për Alfred Ferkon, Lejdi Liçajn dhe Andi Ribajn. Alfred Ferko pritet që të marrë detyrën e sekretarit të përgjithshëm të klubit. Ndërsa Andi Ribaj dhe Lejdi Liçaj do të vijojnë punën si zv.trajnerë. Ka qenë një kërkesë e klubit që dy ish-futbollistët të mbeten pjesë e stafit teknik, vendim i përqafuar edhe nga vetë trajneri Pollozhani.
IDRIZI E VIJON AHENGUN NË LAGJE

Në Vlorë vijon ahengu i ngjitjes në Superiore. Sinan Idrizi ka mbledhur në lagjen e tij, “Varrosh”, stafin drejtues dhe teknik të këtij klubit, si dhe bashkëpunëtorë të tij. Të pranishëm ishin drejtori Alfred Ferko, trajneri Artim Pollozhani, zv.trajnerët Lejdi Liçaj dhe Andi Ribaj. Menyja ishte mish i pjekur dhe birra. E ndërsa konsuamuan ushqim dhe ngritën dolli brenda lokalit pranë shtëpisë së Idrizit, pjesëtarët e stafit teknik, shoqëruar nga dy djemtë e administratorit të klubit edhe kërcyen valle në rrugë, shoqëruar me muzikë nga orkestra e ftuar, por edhe dy këngëtarë të muzikës popullore.
Në darkën e të martës u këndua edhe labçe, nga një grup polifonik. Administratori Sinan Idrizi nuk i ka lënë pas edhe batutat, teksa u ka thënë të ftuarve të tij gjatë darkës: “Po festojmë fitoren e zgjedhjeve”. “Panorama Sport” sjell foto të siguruara ekskluzivisht nga kjo mbrëmje.
ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL













