Trofeu/ Tjetër absurd i FSHF-së, Superkupa luhet në Tiranë

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Gusht 23, 2016 | 17:27

Trofeu/ Tjetër absurd i FSHF-së, Superkupa luhet në Tiranë

Federata Shqiptare e Futbollit regjistron një tjetër absurditet në funksionimin e saj.

selmanSuperkupa e Shqipërisë mund të konsiderohet si trofeu i tretë në radhë në vendin tonë, pas titullit kampion dhe Kupës së Shqipërisë.

Kjo e fundit të jep të drejtën e përfaqësimit në Kupat e Europës. Ndërsa, Superkupa është një trofe që nuk ka asnjë vlerë, përveç kupës në kuptimin e saj fizik.

Klubet nuk përfitojnë financiarisht, ndërsa ekipi fitues e konsideron veten me fat që ka arritur ta nisë sezonin futbollistik me një trofe.

Deri këtu nuk ka asgjë të keqe, por nuk mund të thuhet kështu edhe për mënyrën e organizimit të ndeshjes finale, e cila zhvillohet gjithmonë para fillimit të sezonit të ri futbollistik.

Stadiumi – Skënderbeu dhe Kukësi do të jetë përballë njëratjetrës këtë sezon futbollistik, në Superkupën e Shqipërisë, por ajo nuk do të luhet as në Korçë e as në Kukës, edhe pse bëhet fjalë për dy stadiume, të cilat kanë kapacitetin dhe të gjitha kushtet e kërkuara për zhvillimin e një takimi normal.

FSHF-ja, që është edhe organizatore e këtij trofeu, ka vendosur që ta zhvillojë takimin në stadiumin “Selman Stërmasi” dhe, për më tepër, në një ditë pune, siç është e mërkura.

Natyrisht nuk mund të pretendohet që tifozë nga Korça apo Kukësi të jenë në kryeqytet, por edhe ata që jetojnë në Tiranë mund ta mendojnë dy herë të jenë në shkallët e “Selman Stërmasi”-t.

Natyrisht që FSHF-ja nuk mund të përdorte një nga shembujt që na vijnë nga vendet fqinje, ku ndeshjet e Superkupës, për të kënaqur edhe tifozët, bëhen me ndeshje kthimi.

Natyrisht që tifozët e Skënderbeut dhe Kukësit do të ishin më të kënaqur nëse do të shihnin ekipet para fillimit të kampionatit, në një takim zyrtar.

Por, edhe këtë sezon do të detyrohen ta shohin ekipin nga ekranet e televizorit.

 





www.minuta90.com