Teuta thyen Shkumbinin, -7 nga Skënderbeu. D.Xhafaj i lumtur, rikthehet me një dopietë

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Shkurt 11, 2013 | 13:04

Teuta thyen Shkumbinin, -7 nga Skënderbeu. D.Xhafaj i lumtur, rikthehet me një dopietë

Teuta-Shkumbini 3-0TEUTA-SHKUMBINI   3-0
GOLAT: Xhafaj 15′, 82′, Osmani 56′
TEUTA: S.Hoxha, Sheta, Jakupi, Sakaj, Da Silva, Osmani, Tahiri, Hyshmeri (Dosti 61′), Nika (Veliaj’72), Mancaku (Hodo’68), Xhafaj. Trajner: G.Magani
SHKUMBINI: Kotorri, Musta, Ramazani, Pashja, Magani, Sulkja, Xhura (Lluca 66′), Gjata, Sekseni (Kafazi 70′), Mile, Mustafaji. Trajner: K.Mile.
KARTONË TË VERDHË: Mancaku 67′ / Mustafaji 63′
VËZHGUES: Mëhill Shkëmbi
DELEGAT: Petrit Brahja
GJYQTARET: K.Meta, D.Rexha, E.Biçaku

MINUTAT
15′ Sakaj shkëputet bukur nga e djathta, kroson në zonë, godet me kokë Xhafaj dhe 1-0 për Teutën.
29′ Kroson Magani, përfiton sulmuesi Mile në zonë, por goditja e beratasit ndalet nga portieri Hoxha.
49′ Xhafaj provon sërish, por i përgjigjet me të njëjtën monedhë Kotorri.
53′ Mile lëshon një predhë nga 30 metra, por Hoxha fluturon dhe bën mrekullinë duke evituar një gol të sigurt.
56′ Osmani çon deri në fund aksionin e ndërtuar vetë, duke e finalizuar me gol. Një kombinim me njërin prej shokëve të tij e nxjerr ballë për ballë me portierin Kotorri, ku korçari nuk gabon duke shënuar golin e dytë.
71′ Sulmuesi Daniel Xhafaj ka mundësi të realizojë golin e tretë, por shpërdoron në mënyrën më të keqe të mundshme.
82′ Sërish Xhafaj, shkëputet bukur përballë Kotorrit dhe këtë radhë nuk gabon, 3-0.

Teuta e ka nisur më së miri këtë fazë të dytë, teksa ka arritur të fitojë 3-0 ndaj Shkumbinit, në një përballje që ka folur tërësisht për ta. Dopieta e Xhafajt dhe goli i Osmanit kanë bërë që jo vetëm t’i gëzohen marrjes së tri pikëve, por nga ana tjetër edhe të ngushtojnë diferencën në shtatë pikë me kryesuesen e kampionatit, Skënderbeun, duke shfrytëzuar kështu hapin fals të tyre. Numri një i pankinës durrsake, Gugash Magani, i cili vinte në këtë sfidë si “ish”, duke qenë se më papara ka drejtuar Shkumbinin, kishte ndërtuar një skuadër, e cila funksionoi në mënyrë perfekte dhe nuk gaboi në asnjë rast. Ndërkaq nga ana tjetër duhet thënë se skuadra mike, e drejtuar nga beratasi Kristaq Mile, nuk doli dot për asnjë moment në lojën e saj, ndaj u detyrua t’i nënshtrohej gjatë gjithë 90 minutave kundërshtarit.
Pjesa e parë – Skuadrat e nisën vrullshëm takimin, ndërsa peqinasit me anë të Miles dhe vendësit me anë të bomberit Daniel Xhafaj i përshëndetën portierët respektivë me nga një gjuajtje. Durrsakët ishin të mirëvendosur në fushë, duke e pasur nën kontroll kundërshtarin. Në minutën e 15-të Daniel Xhafaj do të shtonte gëzimin në shkallët e stadiumit, por jo vetëm. Vlonjati shfrytëzon më së miri një kros preciz nga patrioti i tij, Artan Sakaj, dhe me një goditje me kokë e dërgon topin drejt e në rrjetë. Miqtë kërkojnë të reagojnë dhe trajneri Magani përpiqet të krosojë një top të ulët në zonën e Teutës, ndërsa përfiton Vangjel Mile, por goditja e tij neutralizohet nga portieri Hoxha. Në minutat e mbetura të pjesës së parë durrsakët patën mundësi të shënonin golin e dytë, por Xhfaj humbi një mundësi të artë. Gjithsesi, ata do të shkonin në dhomat e zhveshjes me avantazhin e një goli.
Pjesa e dytë – Teuta e nis atje ku e kishte mbyllur fraksionin e dytë të lojës. Durrsakët mezi pritën vërshëllimën e gjyqtarit për fillimin e pjesës së dytë, për t’u derdhur mbi portën mike me të vetmin qëllim: shënimin e golit të sigurisë. Peqinasi i pankinës durrsake, Magani, i qëndron të njëjtit rreshtim si në pjesën e parë, ku mbrojtësi i Teutës dhe Kombëtares Shqiptare, Tefik Osmani, u aktivizua në mesfushë. Ai zhvilloi një ndeshje perfekte, të cilën e finalizoi edhe me gol. Në minutën e 56-të Osmani fiton një top në mesfushë dhe, pas kombinimit me një prej shokëve të tij, shënon golin e dytë për skuadrën. Duke mos u pajtuar me rezultatin, trajneri i Shkumbinit, Mile, kryen dy zëvendësime, duke futur në lojë Kafazin dhe Llucën, por as ata nuk e sollën dot skuadrën në vete. Peqinasit ishin indiferentë, ndërsa Mile&CO hasnin presionin e vendësve, të cilët nuk qëndruan asnjë moment pa e sulmuar portën mike, ndonëse rezultati ishte 2-0 në favor të tyre. Vendësit krijuan një sërë rastesh të tjera, ndërsa kur kishin mbetur edhe tetë minuta para përfundimit, Daniel Xhafaj e trefishon rezultatin, duke shënuar kështu golin e dytë personal. Në fund të 90 minutave, festa e Teutës është legjitime, pasi jo vetëm luajti një ndeshje perfekte, sidomos nga ana taktike, por i është afruar akoma edhe më shumë kreut.

MË I MIRI
Daniel Xhafaj dhe Tefik Osmani kanë qenë pa dyshim dy lojtarët më të mirë në fushë. Jo vetëm për golat e shënuar, por ata ishin të kudondodhur në fushë. Për Xhafajn nuk ka më bukur sesa rikthimi me dopietë pas katër javësh dënim, ndërsa Osmani duhet vlerësuar për rolin e tij të ri në fushë. Shkëlqyen gjithashtu edhe Sheta me Mancakun.

MË PAK AKTIVI
Mbrojtja e Shkumbinit bëri disa gabime, nga të cilat erdhën edhe tre golat e pësuar. Barra më e rëndë në këtë ndeshje për peqinasit bie mbi repartin defensiv, ku pa përjashtim të gjithë lojtarët gabuan pa fund. Musta, Ramazani, Pashja etj, nuk ishin në ditën e tyre më të mirë, kjo edhe për meritë të kundërshtarit, ndërsa të vetmet shkëndija për miqtë i lëshoi Mile.

“Jam i kënaqur, një përballje e veçantë”
Gugash Magani, numri një i pankinës durrsake, në fund të sfidës u shpreh mjaft i kënaqur me fitoren e arritur ndaj Shkumbinit. Sipas tij, kjo përballje ishte e veçantë, duke qenë se më parë e ka drejtuar këtë ekip, ndaj edhe e kërkonte me ngulm fitoren. “Jam shumë i kënaqur me lojtarët, të cilët zhvilluan një ndeshje të mirë. Skuadra nuk dha as 80% të mundësive të saj, por gjithsesi luajti mirë. Për mua, kjo përballje ishte diçka e veçantë, pasi luaja kundër ish-skuadrës sime. Doja ta fitoja këtë ndeshje dhe ia arrita qëllimit. Tashmë, ekipi duhet të mendojë për ndeshjen e radhës. Kemi gjithë javën përpara, kështu që kemi kohë për t’u përgatitur sa më mirë, me qëllim që të vijojmë me serinë e rezultateve pozitive”, – ka përfunduar Magani.

“Luajtëm keq, ndaj dhe u ndëshkuam”
Trajneri i Shkumbinit, Kristaq Mile, pas përfundimit të takimit në konferencën për shtyp u shpreh se skuadra që ai drejton nuk luajti mirë, e për pasojë dhe u ndëshkua. Gjithashtu, sipas tij, edhe terreni nuk ishte i favorshëm. “Skuadra nuk doli për asnjë moment në lojën e saj. Ne bëmë disa gabime, e për pasojë edhe u ndëshkuam. Të besuarit e mi nuk dhanë asnjë sinjal në fushën e lojës, që të përpiqeshin të bënin diferencën, ndaj them se duhet ta pranojmë rezultatin. Edhe terreni nuk ishte i favorshëm, ndonëse nuk dua të shfajësohemi me këtë, sepse luajtëm keq. Kundërshtari është një skuadër mjaft e fortë dhe jo më kot mban vendin e dytë në kampionat. Unë i uroj suksese”, – ka thënë beratasi i pankinës peqinase.

Xhafaj: Ishte një rikthim i bukur
Daniel Xhafaj, sulmuesi i Teutës, shënoi dje dy gola duke u rikthyer kështu në mënyrën më të mirë te durrsakët. Në një bisedë për “Panorama Sport”, pas përfundimit të takimit, ai u shpreh i kënaqur për dopietën e realizuar. “Jam shumë i kënaqur që pas katër ndeshjesh mungesë, arrita të shënoj dy gola. Nuk kishte më mirë se kaq, edhe për faktin se sot (dje) debutoi në pankinë trajneri Gugash Magani. Mirëseardhje më të mirë nuk mund t’i bëja profesorit tonë, i cili përballë kishte ish-skuadrën e tij. Tashmë na duhet të shikojmë përpara dhe të ruajmë vendin e dytë. Vërtet ngushtuam diferencën me Skënderbeun, por nuk mund të fluturojmë”.

Osmani: Goli për dy binjakët e mi
Një nga lojtarët më të mirë në fushë në ndeshjen mes Teutës dhe Shkumbinit ka qenë pa dyshim edhe mbrojtësi Tefik Osmani. Korçari luante në një rol të ri. Mirëpo përveçse e kreu me sukses detyrën e ngarkuar, ai shënoi edhe golin e dytë për durrsakët. “Jam shumë i lumtur për fitoren e arritur ndaj Shkumbinit, e për më tepër që arrita të shënoj. Këtë gol dua t’ua dedikoj dy fëmijëve të mi binjakë, që pritet të vijnë shumë shpejt në jetë, si dhe presidentit Edmond Hasanbelliu, i cili besoi tek aftësitë e mia. Hasanbelliu ka besuar gjithnjë tek unë, si askush tjetër, ndaj e meriton. Sot (dje) zhvilluam një ndeshje shumë të bukur dhe luajtëm saktë nga ana taktike”.
LEONIDHA MUSAJ






www.minuta90.com