Merkato, Shkëlzen Gashi transferohet te Bazel për 4 vjet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2014 | 15:22

Merkato, Shkëlzen Gashi transferohet te Bazel për 4 vjet

GashiShkëlzen Gashi është zyrtarisht lojtar i Bazelit në Superligën Zvicerane (ky ekip është kampioni aktual i helvetëve, gjithashtu në vitet e fundit ka luajtur rregullisht në fazën e grupeve të Ligës së Kampioneve). Mesfushori i kombëtares kuqezi ka zyrtarizuar transferimin e radhës në kampionatin helvet, duke provuar kësisoji të veshë fanellën e një tjetër skuadre në këtë shtet. Më herët ka luajtur për Bellinzona, Neuchâtel Xamax, Aarau dhe Grashopers.  Pasi e mbylli sezonin e shkuar si golashënuesi më i mirë i Zvicrës me 19 gola, Gashi filloi të lakmohej nga klube të tjera, brenda e jashtë vendit ku jeton dhe luan. Mirëpo, ai ka preferuar të mos ndërrojë mjedis, duke vijuar të luajë në Zvicër, por me një ekip të ri, FC Bazel.  Për Grashopersin, sigurisht, ky është një lajm i vjen keq, sepse bëhet fjalë për largimin e liderit të ekipit, mesfushorit 25-vjeçar, drejt një konkurrenti si Bazeli. Drejtori i bordit drejtues të Grashopersit, Martin Keller, ka bërë publik transferimin e Gashit te Bazeli, por njëherazi në deklaratën e tij ka nënvizuar: “Ne donim ta mbanim Gashin në ekip, por nga ana tjetër s’mund të dilnim kundër dëshirës së lojtarit për këtë ndryshim shumë të madh për të. Klubi bëri gjithçka që mundet për ta mbajtur mesfushorin te Grashopersi, por ai tha se kishte nevojë për një sfidë të re te Bazeli, ndaj domosdoshmërisht nuk i nxorëm pengesa. Urojmë që ky planifikim i karrierës për të ardhmen të jetë një veprim i drejtë.”
25-vjeçari kërkohej edhe nga skuadra gjermane (Mynshegladbau) e italiane (Lacio me Torinon). Në rast se nuk rinovonte kontratën, atëherë Grashopersi do ta humbiste vitin tjetër me parametër zero. Pikërisht për këtë arsye drejtuesit janë pajtuar me mundësinë e shitjes së tij këtë verë, përderisa mesfushori ynë kuqezi nuk ka pranuar ta zgjasë kontratën, edhe pse i është afruar rritje e ndjeshme e rrogës. Sa u takon kushteve të marrëveshjes së re, Gashi do të nënshkruajë një kontratë katërvjeçare me Bazelin. Nuk i ka kaluar ende testet mjekësore, por kjo gjë duhet të jetë thjesht një formalitet. Ai pritet t’i bashkohet më 30 qershor Bazelit në stërvitje. Rreth tarifës së transferimit, të dyja klubet kanë rënë dakord të heshtin. Gashi kishte një kontratë deri në verën e vitit 2015 me Grashopersin. Ai do të vihet shumë shpejt nën urdhërat e trajnerit Murat Jakin, por do të gjejë edhe një shqiptar tjetër te Bazeli. Fjala është për Arlind Ajetin. Rruga e tij tashmë është ndarë nga Amir Abrashi dhe Irman Bunjaku, të cilët mbeten pjesë e Grashopersit.

 

 

 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"