Rrëfehet Abazaj: Kam vuajtur, por Andërlehti më ka mësuar. Po mendoj huazimin. Në Superiore tifoz me…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 29, 2018 | 22:59

Rrëfehet Abazaj: Kam vuajtur, por Andërlehti më ka mësuar. Po mendoj huazimin. Në Superiore tifoz me…

Kristal Abazaj, e pranon se pjesa e parë e sezonit nuk ka shkuar ashtu siç pritej tek Anderlehti në Belgjikë, dhe se ambientimi nga Luftëtari tek klubi belg, ishte i vështirë, shoqëruar edhe prej dëmtimeve.

Në një intervistë për “Supersport”, Abazaj tregon se po mendon edhe një huazim në pjesën e dytë të sezonit, si edhe zbulon se është tifoz i Tiranës në Shqipëri.

abazaj

AMBIENTIMI – “Kam kaluar një periudhë të vështirë, pasi jam aktivizuar shumë pak, por nuk besoj se ka qenë për fajin tim. Për shkak të disa dëmtimeve kam mbetur prapa, por gjithsesi do ta quaja një eksperiencë të bukur sepse kam mësuar shumë gjëra që nuk i dija. Nuk mund të them që jam penduar, përkundrazi kam bërë një hap shumë gjigant. Klima është e ndryshme ambientimi i vështirë, por them se problemet i kam lënë pas krahëve.”

FAZA E DYTË – “Me ardhjen e trajnerit të ri do të punoj fort gjatë fazës përgatitore. Do të mendoj edhe për largimin në një ekip tjetër në formë huazimi. Por do t’ia lëmë kohës, duhet të flas me drejtuesit.”

KOMBËTARJA – “Nuk jam ndihmuar në asnjë moment gjatë karrierës sime dhe kur më pyetën thashë një përgjigje. Nuk mendoj se kam bërë ndonjë gabim me trajnerin. Si çdo futbollist kam temperamentin tim e ndoshta e teprova pak. Kaluam një moment të vështirë, por ne jemi Shqipëria dhe do të luftojmë që ta lëmë shumë shpejt pas krahëve zhgënjimin e Nations League.”

SUPERIORJA – “Luftëtari do ta ketë shumë të vështirë pa Rrocën apo Shkurtajn. Nuk mund të jetë ai I dy viteteve të fundit, do të luftojë për mbijetesë. Më pëlqen shumë Teuta, për mënyrën sesi luan, më ngjason me Luftëtarin. Partizani ka bërë mirë, por Kukësi dhe Skënderbeu janë aty. E shoh më të egër luftën për mbijetesë. “

EKIPI I ZEMRËS – “Jam tifoz i Tiranës, bashkë me familjen time. Kur isha i vogël ndiqja Tiranën në stadium. Pse mos të luaj në të ardhmen me Tiranën? Ka tifozë të mrekullueshëm dhe është një klub shumë shumë i madh, më pëlqen vërtet.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"