Gashi te Bazeli, 1 milion euro në vit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 1, 2014 | 12:30

Gashi te Bazeli, 1 milion euro në vit

Shkelzen GashiShkëlzen Gashi pritet të fitojë afërsisht 1 milion euro në vit nëse Bazeli shpallet sërish kampion dhe sulmuesi përmbush pritshmëritë e klubit legjendë të Zvicrës. Mediat helvetike kanë zbardhur dje detaje të kontratës 4-vjeçare që sulmuesi i Kombëtares shqiptare firmosi për kampionët në fuqi të Bazelit. Klubi ku Gashi mbylli sezonin, Grasshopers, sipas prestigjiozes “Blick”, ka përfituar rreth 3 milionë euro nga shitja e sulmuesit. Gashi kishte kontratë me Grasshopersin deri në verën e vitit 2015. Dje kosovari u prezantua zyrtarisht si blerja e re e Bazelit, teksa nënshkroi një kontratë, nga e cila do të përfitojë tri herë më shumë se nga paga që kishte te Grasshopersi. Në këtë të fundit merrte 200 mijë euro në vit, ndërsa tani te Bazeli do të paguhet 600 mijë euro neto, ndërsa bashkë me bonuset, kontrata shkon 1 milion euro. Transferimi i golashënuesit më të mirë të Zvicrës te Bazeli ka bërë bujë në mediat helvetike.
Trajneri – Numri një i pankinës së Grasshopersit, Mikael Skibe, ka folur dje për largimin e Gashit. “Bëmë gjithçka për ta mbajtur. Klubi i bëri një ofertë shumë të mirë për rinovimin, por në momentin që Bazeli e mori seriozisht, duke dashur që ta kishte me patjetër në skuadër, ne u dorëzuam financiarisht. Gjithsesi, nëse një klub si Bazeli të telefonon, atëherë është e kotë për klubet e tjera që të rezistojnë”, ka thënë trajneri gjerman.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"