Përmbys Teuta, konteston Apolonia. Xhafaj ua dedikon dopietën tifozëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 11, 2012 | 13:32

Përmbys Teuta, konteston Apolonia. Xhafaj ua dedikon dopietën tifozëve

APOLONIA – TEUTA  1-2
GOLAT Ndoni 29’/ Xhafaj 60′ 64′
APOLONIA: Miço (Çako 46′), Cimili, Nako, Prifti, Ndoni, Adekunle, Muçaj, Rama, Ribaj, Jakupi (Tepshi 85′), Dushku (Pepa 71′). Trajner: E.Demiraj
TEUTA: Rizvani, Sheta, Marku (Memini 83′), Hoxha, Sakaj, Tahiri, Veliaj, Nika, Hyshmeri (Eminhazeri 55′), Mancaku (Deliallisi 48′), Xhafaj. Trajner: G.Begeja
KARTONË TË VERDHË: Nako 2′, Jakupi 37′, Cimili 39′, Muçaj 41′ / Sheta 17′, Marku 21′, Sakaj 52′, Emihazeri 82′
VËZHGUES: S.Velçani (Patos)
DELEGAT: B.Çela (Tiranë)
GJYQTARET: K.Meta, E.Biçaku, B.Mesi (Tiranë)

MINUTAT
29′ Jakupi harkon topin në zonë dhe qendërmbrojtësi Ndoni, i ardhur në ndihmë të sulmit, kërcen mbi mbrojtësit miq, gjuan me kokë dhe 1-0.
60′ Nga kundërsulmet e rralla të durrsakëve, topi harkohet në zonën e Apolonisë. Portieri i ri Çako del në mënyrë të gabuar nga porta, nga çka përfitoi Xhafaj duke e barazuar rezultatin.
64′ Teuta ndërmerr një tjetër kundërsulm nga krahu i djathtë, topi harkohet në zonë dhe aty portieri Çako, i cili kërkon të vihet në zotërim të tij shtyhet nga një lojtar durrsak, humbet ekuilibrin dhe Xhafaj që ndjek nga afër aksionin, dyfishon rezultatin.

Apolonia as këtë javë nuk ka mundur të bëjë dot asgjë, teksa u mund nga Teuta me rezultatin 2-0 në “Loni Papuçiu”, në një ndeshje të kontestuar nga vendësit sa i përket gjykimit. Daniel Xhafaj, falë dygolëshit të realizuar, zhvlerësoi golin e Ndonit, duke i dhënë tri pikë të arta skuadrës së tij. Ndërsa, nga ana tjetër, fierakët edhe pse luajnë më mirë se kundërshtari, sulmojnë më shumë se ai, përsëri ndëshkohen nga episode të veçanta të lojës, duke përsëritur gabimet e së kaluarës në mbrojtje.
Ndeshja – Takimi nis i shpejtë për vendësit, të cilët hidhen në sulm në kërkim të golit të avantazhit. Ata e arrijnë këtë në minutën e 29-të të takimit, kur qendërmbrojtësi Ndoni u jep një mësim sulmuesve të ekipit, duke shënuar golin e avantazhit pas një gjuajtje me kokë brenda zonës. Ndërkaq, nga ana tjetër, Teuta nuk reagon thuajse fare dhe krijohej ideja se bardhejeshilët nuk do ta kishin të vështirë të shënonin edhe gola të tjerë. Por, nuk ndodhi kështu. Fraksioni i dytë i lojës ishte krejt ndryshe nga i pari, ku janë durrsakët ata që bëjnë diferencën në fushë. Në minutën e 60-të miqtë ndërmarrin një kundërsulm të shpejtë nga krahu i djathtë, topi harkohet në zonë dhe portieri Çako, i cili zëvendësoi Miçon, në tentativë për ta grushtuar nuk ia arrin qëllimit. Sulmuesi Xhafaj falë përvojës së tij nuk fal, duke shënuar golin e barazimit. Dhe pa kaluar as 4 minuta, sërish në një tjetër kundërsulm të shpejtë të durrsakëve, është Xhafaj që e çon në avantazh skuadrën e tij. Apolonia, që nuk ka se çfarë të humbasë më, hidhet e gjitha në sulm, por fundi i 90 minutave u buzëqeshi “djemve të detit”.
Presidenti – Baftjar Zeqaj, president i Apolonisë, njëkohësisht dhe kryebashkiaku i Fierit, pas përfundimit të takimit u shpreh: “Kam dy vite që nuk reagoj ndaj gjykimeve, edhe pse Apolonia është paragjykuar dhe është ndëshkuar padrejtësisht jo vetëm në transferta, por dhe brenda në Fier. Por gjyqtari sot e bëri baltë. Gjatë gjithë ndeshjes treshja e gjyqtarëve ishte kundër skuadrës sonë dhe e them me plot gojë se ndikoi dhe në rezultatin përfundimtar të saj. Nuk u dha një penallti në favorin tonë në rastin e Ribajt. U akordua një gol, që ishte pozicion jashtë loje dhe faull kundër portierit tonë. U dhanë faulle inekzistentë, u përsëritën goditje të lira në afërsi të portës sonë etj., të cilat ndikuan në psikologjinë e lojtarëve në fushë, por dhe në rezultatin përfundimtar të sfidës”.

MË I MIRI
Xhafaj ishte pa dyshim lojtari më i mirë. Ai jo vetëm ka arritur falë pjekurisë të shënojë dy herë, por ka qenë inspirues pothuajse i çdo kundërsulmi të durrsakëve, duke sjellë alarm te fierakët.

MË PAK AKTIVI
Çako, portieri i Apolonisë që zëvendësoi Miçon në fillimin e pjesës së dytë, ishte më pak aktivi. Megjithëse bëri dy-tri pritje dhe grushtime të bukura, përsëri gaboi në dy episodet e pësimit të golave

TRAJNERI I APOLONISË
Elidon Demiraj, trajneri fierak, u shpreh: “Në pjesën e parë zhvilluam një lojë perfekte ku, përveç golit të shënuar, duhej të realizonim dhe të tjerë. Mirëpo, e njëjta gjë nuk ndodhi në të dytën, ku vazhdojmë të bëjmë gabime. Kam rezervat e mia për gjykimin, jo vetëm te goli i dytë, por edhe në minutën e 68 në rastin e Ribajt”.

TRAJNERI I TEUTËS
Trajneri i Teutës, Gentian Begeja, pas ndeshjes pohoi: “Erdhëm për tri pikë, edhe pse ishim të vetëdijshëm që na priste një ndeshje e fortë. Pjesa e parë ishte jo e mirë për ne, ndërsa në të dytën e ndryshuam krejtësisht tablonë. Skuadra tregoi karakter të lartë sportiv, u tregua e kujdesshme dhe e disiplinuar, duke përmbysur rezultatin. Ishte një trepikësh me vlera”.

Xhafaj: Golat për tifozët
Sulmuesi i Teutës, Daniel Xhafaj, në një prononcim për “Panorama Sport”, pas përfundimit të ndeshjes u shpreh: “Kisha besim se do të shënoja ndaj Apolonisë dhe ia arrita qëllimit. Nuk është vetëm merita ime, por e gjithë skuadrës, pasi unë isha vetëm një finalizues i lojës së saj. Ishim përgatitur për këtë ndeshje me kujdes, pasi e dinim se Apolonia do të futej në fushë vetëm për fitore. Luajtëm me qetësi dhe disiplinë, duke treguar karakter të lartë sportiv, ndërsa arritëm jo vetëm të barazonim, por edhe të kalonim në avantazh. Ishte një fitore me mjaft vlera, jo vetëm për tri pikët e marra në transfertë, në një ndeshje të vështirë ku dihet që ‘i mbyturi të mbyt’, por dhe ana morale e psikologjike. Golat ua dedikoj tifozëve durrsakë”.
MIKEL MBRIÇAJ

Xhafaj: Golat për tifozët Sulmuesi i Teutës, Daniel Xhafaj, në një prononcim për “Panorama Sport”, pas përfundimit të ndeshjes u shpreh: “Kisha besim se do të shënoja ndaj Apolonisë dhe ia arrita qëllimit. Nuk është vetëm merita ime, por e gjithë skuadrës, pasi unë isha vetëm një finalizues i lojës së saj. Ishim përgatitur për këtë ndeshje me kujdes, pasi e dinim se Apolonia do të futej në fushë vetëm për fitore. Luajtëm me qetësi dhe disiplinë, duke treguar karakter të lartë sportiv, ndërsa arritëm jo vetëm të barazonim, por edhe të kalonim në avantazh. Ishte një fitore me mjaft vlera, jo vetëm për tri pikët e marra në transfertë, në një ndeshje të vështirë ku dihet që ‘i mbyturi të mbyt’, por dhe ana morale e psikologjike. Golat ua dedikoj tifozëve durrsakë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"