Nika: Nuk më larguan nga Tirana, ika me dëshirën time

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Janar 7, 2017 | 17:19

Nika: Nuk më larguan nga Tirana, ika me dëshirën time

Ansi Nika është zyrtarisht i larguar. Ashtu sikundër paralajmëroi gazeta një ditë më parë, lojtari dje ka mbyllur përfundimisht marrëdhëniet me klubin e Tiranës. Një takim mes tij dhe Refik Halilit është shoqëruar me “divorc” të parakohshëm, paçka se kontrata e tij ishte më e gjatë.

Nika Ansi Tirana

Një lajm të tillë e ka konfirmuar vetë mesfushori për “Panorama Sport”, ndërsa ka sqaruar se vendimi u mor prej atij vetë. Nuk kanë munguar as falënderimet e rastit, si për shokët e ekipit dhe presidentin. “Ramë dakord që ta ndërprisnim kontratën. I uroj suksese ekipit të Tiranës dhe presidentit Halili që ka qenë korrekt me mua për çdo gjë. Ishte një kërkesë e imja për ta ndërprerë marrëdhënien me Tiranën. Edhe një herë i uroj suksese ekipit të Tiranës, shokëve dhe presidencës”, u shpreh shkodrani, i cili theksoi se prishja e kontratës është arritur me mirëkuptim të plotë, duke nënkuptuar se Tirana nuk rrezikon asnjë penalitet prej këtij “divorci”.

ansi nika

Nika ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij, megjithatë konfirmoi se brenda dy ditësh do të zgjedhë ekipin ku do të vijojë karrierën. Mesfushori erdhi gjatë verës në kryeqytet, pas përvojës 1-vjeçare me Kukësin, gjithsesi hapësirat nuk i pati të mëdha. Gjatë dy fazave të para, ai mori vetëm 338 minuta, ndërsa në total u aktivizua për vetëm 8 ndeshje në kampionat. Mungesa e hapësirës ka bërë që edhe vetë shkodrani ta shohë largimin si mundësinë më të mirë, ndërsa pritet që në vazhdim të vendosë për ekipin e tij të ri.






www.minuta90.com