VIDEO/ Partizani “shkelmon” krizën, skuadra e Shehit likuidon me 2 gola Dinamon në derbi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 20, 2024 | 23:59

VIDEO/ Partizani “shkelmon” krizën, skuadra e Shehit likuidon me 2 gola Dinamon në derbi

Partizani triumfoi me rezultatin 2-0 në derbin ndaj Dinamos të zhvilluar në “Arenën e Demave”. Një përballje emocionuese që i pati të gjitha.  

 

qirko denison

Të kuqtë e Orges Shehit ishin dominues të sfidës, teksa gjetën golin e avantazhit në minutën e 30-të me anë të Bintsuka. Fundi i pjesës së parë ishte dramatik, teksa Denison shpërdoroi një 11-metërsh. Tentativa e brazilianit u ndal nga portieri Pano Qirko, që mbajti portën e paprekur.  

Në fillimin e pjesës së dytë, më konkretisht në minutën e 47-të, Dinamo mbeti me 10 lojtarë, pas ndëshkimit me kartonin e dytë të verdhë të Gudiabi. 

Për golin e sigurisë te Partizani mendoi Albers Keko, i cili u hodh në fushë në minutën e 65 në vend të Bintsuka, teksa 5 minuta pas aktivizimit përshëndeti rrjetën duke dyfishuar shifrat. 

Pas këtij triumfi Partizani duket se ka “shkelmuar” krizën e rezultateve, ku kishte 4 ndeshje radhazi pa fituar, ndërkohë që për Dinamon, kjo është humbja e 12-të në 32 javë kampionat.  

FT: PARTIZANI-DINAMO 2-0

Bintsuka 30′, Keko 70′

KOMENTI LIVE:

Mbyllet sfida! 

90+3′ Pranë golit të tretë Partizani me Tedi Carën, gjuajtja e tij me të brendshëm shkon ngjitur me shtyllën, i pafat futbollisti i kuq.

90+2′ Shehi kryen edhe zëvendësimin e fundit, largohet nga loja Rrapaj, vendin e tij e merr Ismaili.

90′ Akordohen 5 minuta shtesë!

85′ Partizani menaxhon mjaft mirë epërsinë e dy golave, duke qarkulluar topin në këto minuta.

74′ Pranë golit të tretë Partizani me Skukën, por tentativa e sulmuesit dibran ndalet me këmbë nga portieri Sali. (VIDEO) 

72′ Trajneri Mehmeti kryen edhe dy zëvendësime të tjera, largohen Denison dhe Kaçorri në fushë Bardhi dhe Tahiri.

70′ GOOOOOL PARTIZANI 2-0/ Albers Keko dyfishon shifrat! Sulmuesi i kuq erdhi nga stoli për të gjetur golin e sigurisë. Shpërthen festa te “Arena e Demave”. (VIDEO) 

68′ I sapofuturi Keko lëshon një shkëndijë të rrezikshme, por topi ndalet nga Sali.

65′ Partizani kryen dy zëvendësime të tjera, largohen Bintsuka dhe Atanaskoski, në lojë Keko dhe Buxhelaj.

59′ Trajneri Shehi bën dy zëvendësime largohen Mba dhe Taipi në fushë Skuka dhe Mehmeti.

51′ Trajneri Mehmeti bën dy zëvendësime, largohet Vila dhe Zabërgja, në fushë Qefalia dhe Miaj.

47′ Gudiabi ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë dhe lë skuadrëm me 10 lojtarë pas përplasjes me Muratajn, edhe kapiteni i Partizani ndëshkohet me karton të verdhë. (VIDEO) 

46′ Starton pjesa e dytë, nuk ka zëvendësime!

Mbyllet pjesa e parë! 

45+5′ Pano Qirko bën heroin dhe i pret penalltinë Denisonin. Fantastik portieri i Partizanit, penalltia e tretë e pritur në këtë sezon. (VIDEO) 

45+2′ Akordohet 11 metërsh për Dinamon, pas ndërhyrjes së gabuar ndaj Zabërgjës, që mbërrin para Atanaskoskit që ndërhyn në mënyrë të gabuar. (VIDEO) 

45′ Akordohen 2 minuta shtesë!

43′ Pritje shpëtimtare e Pano Qirkos, që zgjatet mjaft mirë duke i mohuar golin Lorenc Vilës (VIDEO) 

40′ Gjyqtari Bajramaj sinjalizon fillimisht penallti për Partizanin, pas ndërhyrjes së gabuar të Behiraçes ndaj Taipit, por pas konsultimit me VAR, vendimi kthehet, ndërhyrja e Behiraçes konsiderohet e rregullt (VIDEO) 

37′ Pranë golit të dytë Partizani me Arinaldo Rrapajn, gjuajtja e tij u grushtua nga portieri Sali (VIDEO) 

33′ Gudiabi është i ndëshkuari i parë i sfidës me karton të verdhë për ndërhyrje të gabuar ndaj Mba.

30′ GOOOOL PARTIZANI 1-0/ Zhbllokohet sfida, sulmuesi Bintsuka gjen rrugën e rrjetës. Pas një harkimi nga goditja e dënimit, fillimisht topi shkon te Sembene që godet me kokë, sfera përplaset në shtyllë dhe kthehet te Bintsuka që nuk fal duke përshëndetur rrjetën.  (VIDEO) 

25′ Provon edhe Dinamo të kundërpërgjigjet me Denison, por tentativa fluturimthi e tij shkon jashtë kuadratit (VIDEO) 

23′ Tjetër shans i artë i shpërdoruar nga Partizani, kësaj here ishte Bintsuka që nuk shënoi duke e dërguar topin ngjitur me shtyllën. (VIDEO) 

16′ Maget dhe Cara nuk merren vesh me njëri-tjetrin duke finalizuar në mënyrën më të keqe të mundshme një aksion premtues. (VIDEO) 

11′ Pranë golit Partizani me Kristian Mba, që shpërdoron një shans të artë shumë pranë portës, tentativa e tij devijohet në këndore nga Behiraçe. (VIDEO)

8′ Vendimtar Rustem Hoxha me ndërhyrjen brenda zonës, duke i hequr një mundësi të artë shënimi Kristian Mbasë, duke bllokuar gjuajtjen e sulmuesit (VIDEO)

7′ Partizani shfaqet më kërkues në këto minuta, duke ushtruar presion në zonën e Dinamos, por mungojnë gjuajtjet në portën e Salit.

2′ Start i luftuar, me të dyja skuadrat që kërkojnë të marrin komandën e ndeshjes.

1′ Derbi nis me homazhe për Lanin e Partizanit, ish-puntorin e klubit të kuq, që humbi jetën pak ditë më parë.

bandicam 2024-04-20 17-58-57-253

FORMACIONET ZYRTARE: 

PARTIZANI: Qirko, Atanaskoski, Sembene, Sota, Murataj, Maget, Taipi, Rrapaj, Cara, Mba, Bintsuka. Trajner: O.Shehi 

DINAMO: Sali, Marku, Hoxha, Behiraçe, Lorran, Gudiabi, Smaçi, Vila, Denison, Zabërgja, Kacorri. Trajner: D.Mehmeti.  

GJYQTARË: K.Bajramaj, R.Avdo, A.Zalla (Tiranë)

VAR: Juxhin Xhaja; AVAR: Emanuela Rusta

Partizani-Dinamo

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"