Largimet nga Tirana, mesfushori Ansi Nika i pari që bën gati valixhet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 6, 2017 | 10:19

Largimet nga Tirana, mesfushori Ansi Nika i pari që bën gati valixhet

Nisin largimet te Tirana dhe Ansi Nika është ai që hap siparin. Shkodrani as dje nuk u paraqit në stërvitje, ndërsa burime pranë lojtarit, por edhe vetë klubit kryeqytetas konfirmojnë për “Panorama Sport” se pritet “divorci” i parakohshëm. Mungon zyrtarizimi në fakt, megjithatë sot pritet që të ketë zhvillime konkrete në këtë drejtim.

Mësohet se mesfushori dhe presidenti kanë programuar një takim mes tyre, për të vendosur pikat mbi “i”. Se si do të zgjidhet çështja e kontratës, kjo mbetet një “rebus”, megjithatë duket thuajse e sigurt që për pjesën e mbetur të sezonit ai nuk do të veshë më ngjyrat bardheblu.

Nika Ansi Tirana

Mesfushori erdhi gjatë verës në kryeqytet, pas përvojës njëvjeçare me Kukësin, gjithsesi hapësirat nuk i pati të mëdha. Gjatë dy fazave të para, ai mori vetëm 338 minuta, ndërsa në total u aktivizua për vetëm 8 ndeshje në kampionat. Mungesa e hapësirës ka bërë që edhe vetë shkodrani ta shohë largimin si mundësinë më të mirë, ndërsa pritet që në vazhdim të vendosë për ekipin e tij të ri.

Gjasat janë që Nika të mos jetë i vetmi, pasi nga sot mund të ketë të tjera zhvillime sa i përket merkatos në dalje. Plani i klubit ka qenë prej kohësh i qartë: para se të bëjnë afrime, ata do të “spastrojnë” ekipin. Dhe një gjë të tillë e ka thënë edhe vetë trajneri Mirel Josa gjatë deklaratave të tij. Të rrezikuar janë edhe dy nga të huajt (Romuald dhe një mes Cises e Edes), megjithatë mbetet për t’u parë se si do të procedohet, pasi kontratat janë kthyer në një pengesë.

Gjithsesi, në varësi të klauzolave që mund të kenë në marrëveshjet e nënshkruara, pritet që të ketë rishikim të kontratave, ulje pagash, por edhe huazimi nuk përjashtohet si mundë- si. Gjithsesi, me zbardhjen e listës së lojtarëve që do të grumbullohen drejt Antalias, do të marrin fund edhe pikëpyetjet, pasi drejtuesit po projektojnë që “avionin” ta marrin vetëm ata që do të mbeten pjesë e ekipit edhe pas janarit.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"