Kastrioti gjen sozinë e Brus Inkangos në Francë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2012 | 13:37

Kastrioti gjen sozinë e Brus Inkangos në Francë

Më në fund vjen edhe francezi që pritej nga krutanët, i cili është Albert Arki Fataki: sulmues, i datëlindjes 25.05.1989. Lojtari mbërriti në Tiranë mbrëmjen e së mërkurës dhe dje ka qenë në seancë stërvitore. Ashtu si edhe sulmuesi i krutanëve që akoma nuk është harruar, Brus Inkango, edhe ky vjen nga Franca, madje nga i njëjti vend i origjinës, Republika Demokratike e Kongos. Kjo mund të konsiderohet lëvizja e fundit e krutanëve në merkato, pasi zyrtarisht sot do të federohet edhe skuadra zyrtare për sezonin e ri. Sakaq ka arritur edhe leja për serbin e tretë Nikola Asceriç, ndërsa i vetmi që pritet të marrë OK-in nga federata serbe është Prodanoviç. Gjatë ditës së djeshme janë bërë edhe procedurat e fundit të regjistrimit për lojtarët, për të cilët këto veprime nuk ishin kryer dhe trajneri Artan Mërgjyshi në ndeshjen me Bylisin duhet ta ketë në dispozicion të gjithë kontingjentin. Dje skuadra u stërvit në Krujë për aklimatizimin ndaj terrenit. Në fakt, vetëm pak lojtarë nga sezoni i kaluar kanë mbetur në kontingjentin aktual të Kastriotit, ndaj është parë si e nevojshme që skuadra të mësohet sadopak edhe me klimën e këtij qyteti. Në Krujë skuadra do të jetë edhe pasditen e sotme, ku do të bëhet dhe grumbullimi për ndeshjen e fundjavës.
Murat Aruçi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"