Frikë nga precedenti “Kukësi”, Takaj takim urgjent me tifozët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 2, 2015 | 19:56

Frikë nga precedenti “Kukësi”, Takaj takim urgjent me tifozët

Takaj kryesoreNgjarjet e fundit në ndeshjen mes Kukësit dhe Legias sigurisht që nuk kanë kaluar pa u vënë re edhe në kampin korçar. Ata kanë filluar të marrin masat, që diçka e tillë të mos ndodhë në ndeshjen e Skënderbeut në Elbasan. Korçarët kërkojnë siguri maksimale në këtë përballje, duke ditur edhe ashpërsinë e UEFA-s në kompeticione të tilla si Champions Liga.

Një incident fare i vogël mund të kushtojë shumë për Skënderbeun. Një gjë të tillë e di fare mirë edhe presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, i cili ka filluar të bëjë të gjitha përgatitjet e duhura, në mënyrë që takimi të shkojë shumë mirë. Në Korçë askush nuk kërkon të marrë dënimin më të vogël, qoftë edhe gjobën më të papërfillshme, teksa bëjnë thirrje për qytetari që i karakterizon korçarët. Nëse takimi do të luhej në Korçë gjithçka do të ishte më e qetë, por do të luhet në një qytet tjetër, kështu që edhe masat e sigurisë do të jenë më të ashpra. Nga burime të sigurta të gazetës bëhet me dije se numri i forcave të sigurisë do të shtohet, gati do të trefishohet. Kjo do të korrespondojë edhe me kontrolle të detajuara, në mënyrë që asnjë send i rëndë të mos hyjë në stadium, qofshin këto çakmakë apo edhe monedha hekuri. Edhe forcat e policisë do të kërkohen që të jenë në gatishmëri atë ditë në stadium, ndërsa vetë tifozët po bëjnë thirrje ndërgjegjësimi për njëri-tjetrin, në mënyrë që takimi të kthehet në festë dhe jo në vend incidentesh.

Gjobat

Frika nga gjobat ka detyruar edhe klubin bardhekuq që të jetë i kujdesshëm në të gjitha detajet, duke filluar që nga biletat që do të kenë një format të detajuar nga UEFA. Po ashtu, një ditë më parë, presidenti i Skënderbeut, Ardjan Takaj, ka zhvilluar një takim me kryesinë e tifozëve, duke u dhënë atyre këshillat dhe porositë e rastit. Takaj ka kërkuar mirëkuptimin e tifozërisë që të tregohen të qetë dhe të sjellshëm, vetëm mbështetje të ekipit me kore, por asnjë sinjal të jashtëligjshëm. Takaj në mënyrë kategorike ka ndaluar marrjen në stadium të flakadanëve dhe sendeve të tjera ndezëse, duke qenë se të gjitha janë të dënueshme. Nga ana tjetër, “Ujqërit e Dëborës” kishin marrë me vete skicën e një superkoreografie që do të shpalosin në takimin e së mërkurës. Një koreografi që simbolizon hyrjen në histori të Skënderbeut, si i pari ekip që hyn në grupet e Kupave të Europës.

Pavarësisht se Takaj e ka miratuar atë koreografi, ka kërkuar që tifogrupi të presë një lajmërim të klubit, pasi të interesohet në instancat përkatëse të UEFA-s për të marrë “viston” nëse kjo koreografi është e lejueshme që të shpaloset në stadium. Duke parë të gjithë këtë mobilizim, mund të themi se Skënderbeu është i vetmi klub që po bën çdo gjë në lidhje me rregullat e UEFA-s, duke u treguar një klub serioz për të shmangur çdo akt të palejueshëm. LL. Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"