Firmos Lushtaku: Vij prej Gjicit, ju bind që në Europë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 18, 2014 | 9:27

Firmos Lushtaku: Vij prej Gjicit, ju bind që në Europë

Lushtaku prezantohet te SkenderbeuSulmuesi i njohur kosovar, Kushtrim Lushtaku, i cili, së fundmi, bëri karrierë në futbollin gjerman, tani e tutje do të jetë pjesë e Superiores shqiptare. Sulmuesi drenicas ka arritur marrëveshjen me Kukësin, ndërsa kontratën e ka nënshkruar dje. “Panorama Sport” paralajmëroi që një ditë më parë lajmin e mbërritjes së sulmuesit të Kombëtares së Kosovës. 23-vjeçari, i cili luan në sulm, dje ka udhëtuar nga Prishtina në Kukës, ku është takuar me presidentin Gjici. Pas bisedës mes tyre është arritur akordin dhe më pas Lushtaku ka udhëtuar për në Tiranë, ku dhe ka nënshkruar një kontratë për një vit me të drejtë rinovimi. Lushtaku ka luajtur në Kosovë dhe sezonin e fundit në Gjermani. “Erdha për pushime në Kosovë, kisha dëgjuar për sukseset e Kukësit. Kisha dëshirë të isha pjesë e Kukësit. Kisha kontakte me presidentin Gjici, i cili më mirëpriti, ndaj e falënderoj. Di që Kukësi ka edhe tifozë të shumtë. Kam qenë në stadiumin e qytetit dhe tani jam i lumtur që do luaj për fanellën e Kukësit. Shpresoj të arrijmë objektivat që kemi në Europë dhe në Superligë. Sapo kam mbërritur dhe jam i mrekulluar nga pritja. Kam parë ndeshjet e Kukësit në Europë, jam i befasuar nga ato arritje”, ka thënë sulmuesi. Pas stacionimit në Ohër, mbërritja e Lushtakut është e dyta pas Pero Pejiç, i cili u bë pjesë e Kukësit dy ditë më parë. Lushtaku e çon në tre numrin e kosovarëve te Kukësi. Prej dy sezonesh në kontratë me Kukësin janë edhe Musolli dhe Hoxha. Ndërkohë, Pero Pejiç ka nisur dje seancën e parë stërvitore me ekipin e Kukësit. Ai mbërriti parmbrëmë në darkë, kur ekipi po darkonte dhe është takuar me të gjithë lojtarët, disa prej të cilëve i ka pasur dhe më parë shokë në ekipet ku ai ka luajtur. Ardhja e Pejiçit te Kukësi është mirëpritur nga ekipi, por dhe nga tifozëria vendëse, e cila pret më në fund të ketë dhe një goleador, krahas Cikalleshit. Tashmë Kukësi ka në ekip dy golashënuesit më të mirë të Superiores shqiptare, ndaj dhe pritshmëria është për një numër të madh golash te Kukësi.
JONUZ HALLAÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"