Firmos edhe Fataki, Lushnja mbyll merkaton me 12 blerje

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2013 | 10:14

Firmos edhe Fataki, Lushnja mbyll merkaton me 12 blerje

[ TPF ] Archi FatakiLushnja mbyll merkaton me një blerje të bujshme në sulm. Albert Fataki është zyrtarizuar te verdhejeshilët, duke refuzuar në këtë mënyrë ofertën e Partizanit. Sulmuesi francez ka dalë dje në stërvitje nën urdhrat e Artan Banos, ndërkohë që dy ditë më parë klubi i Partizanit e denoncoi lojtarin në polici si të zhdukur. Nga sa mësohet, gjatë ditëve të fundit drejtuesit e Lushnjës kanë këmbëngulur për të bindur Fatakin, teksa shkes është bërë Semiran Çela. Mesfushori vlonjat, i cili do të luajë me verdhejeshilët këtë sezon, mësohet se është miku më i ngushtë i francezit në Shqipëri. Ai ka ndikuar jo pak për të bindur Fatakin që të zgjidhte Lushnjën. Tashmë me dyshen Canka-Fataki në sulm, skuadra e Banos bëhet vërtet e frikshme. Klubi lagunar federoi dje të gjithë lojtarët, duke mbyllur merkaton me plot 12 blerje. Emra si Boris Bjelkanoviç, Rigest Hysko, Gazmend Cimili, Danijel Morinaju, Andi Bakiasi, Meglid Mihani, Luka Tiodoroviç, Klevis Gjoni, Lorenc Trashi, Semiran Çela, Mateo Hasa dhe së fundmi Albert Fataki janë zyrtarisht afrimet e Lushnjës. Nga ana tjetër, në krahasim me kontingjentin e sezonit të kaluar, nga skuadra janë larguar Robert Grizha, Aleksandar Stojkoviç, Renato Sula, Jurgen Kulli dhe Elhan Galica. Klubi ka ruajtur grupin në masën 80% dhe tashmë trajneri Bano ka thuajse çdo pozicion të dubluar në ekip. Tifozët presin me padurim të shikojnë skuadrën në takimin e javës së parë ndaj Kukësit, që do të luhet të mërkurën në “Roza Haxhiu”. Skuadra po vazhdon me intensitet përgatitjet, ndërkohë që një lajm i mirë është se asnjë prej lojtarëve nuk ka probleme dëmtimesh. Tashmë pritet vetëm federimi zyrtar i të huajve.
Armand Nezha

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"