EKSKLUZIVE/ “Flamurtari ngjitet këtë sezon”, drejtori Ferko: Merkatoja më bind, gati një lëvizje “big”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 20, 2023 | 20:32

EKSKLUZIVE/ “Flamurtari ngjitet këtë sezon”, drejtori Ferko: Merkatoja më bind, gati një lëvizje “big”

Flamurtari pret edhe një surprizë të fundit në merkato, që me shumë gjasa do të jetë nga ato “big”.

ferko

Për këtë tregohen të kujdesshëm të mos zbulojnë asgjë, pasi duan që të mos “dekonspirohen”. Në një intervistë për “Panorama Sport”, Alfred Ferko zbulon planin e kuqezinjve. Nuk preferon të flasë për Bruno Telushin që po përflitet si një rikthim, pasi me sa duket këtë gjë e ka në dorë ekskluzivisht vetëm presidenti. Drejtori e vlerëson shumë pozitivisht merkaton e realizuar deri tani, ndërsa thotë se është punuar me kujdes dhe qetësi.

Keni bërë 12 afrime deri më tani, por a mund ta quajmë të mbyllur merkaton e Flamurtarit?

Jo, jo, nuk është mbyllur ende.

Çfarë prisni ende, na zbuloni diçka?

Presim një lëvizje të rëndësishme. Po tregohemi të kujdesshëm në këtë drejtim. Kemi folur me presidentin dhe po bëjmë çdo gjë me qetësi. Nëse vjen diçka e mirë për ekipin, e mirëpresim. Besoj se do të kemi edhe ndonjë gjë të mirë në fund. Jemi në pritje.

Flitet për një rikthim të Bruno Telushit. Mund të na konfirmoni si është e vërteta?

Jo, nuk mund t’ju them për këtë gjë që po më pyesni. E përsëris që presim diçka të mirë dhe që të jetë e goditur.

Jeni i kënaqur me lojtarët e ardhur deri më tani?

Për mendimin tim, merkatoja është shumë e mirë. Jemi treguar shumë të kujdesshëm në afrime. Nuk kemi dashur që të përsërisim gabimet e së shkuarës. Ndaj kemi punuar me vëmendje të madhe dhe kemi marrë lojtarët e duhur, ata që do të na bëjnë punë dhe do të mbajnë peshën e kësaj skuadre.

Po për sa u përket rikonfirmimeve nga grupi i sezonit të shkuar, do të kemi të tjera?

Janë ata që janë rikonfirmuar dhe kanë nisur punën me skuadrën.

Sa ju “ngroh” ky grup që është krijuar?

Situata në skuadër është e mirë. Grupi është pozitiv dhe tashmë ka filluar punën. Mbyllëm javën e parë dhe tani jemi në të dytën. Stërvitja është intensive. Jemi shumë të kënaqur. Kjo javë e dytë ka filluar edhe me më shumë intensitet. Skuadra po stërvitet dy herë në ditë. Është një grup që po punon me shumë dëshirë. Besoj se do të bëhet një punë shumë e mirë nga të gjithë.

Objektiv mbetet Superiorja. E shikoni të arritshme këtë gjë?

Patjetër që ky është edhe objektivi. Që ditën e parë të nisjes së punës, këtë gjë u kam thënë futbollistëve. Angazhimi duhet të jetë maksimal. Ne e dimë se cilët do të jenë objektivat e klubit. Duam të rikthehemi në elitë. Ndaj duhet të bëjmë një punë të fuqishme të gjithë bashkë.

ERMAL SIKA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"