EKSKLUZIVE/ “Asnjë ndjesi për Tiranën”, Pano Qirko: Partizani, ekip kampionësh! Ndizemi me të fortat, në katërshe do jemi të frikshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 23, 2024 | 20:51

EKSKLUZIVE/ “Asnjë ndjesi për Tiranën”, Pano Qirko: Partizani, ekip kampionësh! Ndizemi me të fortat, në katërshe do jemi të frikshëm

Pano Qirko ishte vendimtar në derbin kundër Dinamos të shtunën, ku Partizani fitoi me shifrat 2-0 në stadiumin “Arena e Demave”.

pano qirko

Portieri i kampionëve në fuqi priti penalltinë përballë Denisonit dhe ruajti avantazhin e të tijve në një moment kur ndeshja mund të komplikohej së tepërmi. Kjo ishte penalltia e pestë e pritur nga Qirko në karrierën e tij, teksa plot tri prej tyre i ka ndalur në këtë sezon. Në një prononcim për “Panorama Sport” gardiani shprehet se kjo ishte thjesht detyra e tij, teksa nuk mohon as ndihmën nga fati. Gardiani u shpreh se fitorja me Dinamon tregon se ky ekip ndizet në ndeshjet e mëdha. Gardiani i kuq paralajmëron Partizan të frikshëm në “Final 4”.

Pano, zhvilluat një tjetër paraqitje vendimtare. Sa i kënaqur jeni me atë që po bëni në këtë sezon me Partizanin?

Ishte një ndeshje e rëndësishme për vazhdimësinë. Jam shumë i lumtur që morëm rezultat pozitiv, sepse na jep motiv për të ecur përpara. Puna ime është të mbaj ekipin gjithnjë në lojë dhe shpresoj që ta bëj këtë sa herë shokët kanë nevojë.

Pritët një tjetër penallti, e treta në këtë sezon. Mund të themi se kjo aftësi është ndër pikat tuaja më të forta?

Penalltia është më së shumti çështje fati, por edhe analizimi. Ne portierët më së shumti jemi në dorë të mënyrës sesi lojtari do ta gjuajë penalltinë. E rëndësishme është të gjesh krahun, pastaj mund ta presësh ose jo. Nëse e pret, të shtohet besimi dhe nis të bëhet një pikë e fortë.

E njihnit Denisonin për mënyrën sesi i gjuan penalltitë apo ishte thjesht instikti i momentit?

Nuk mund të them se kisha shpenzuar kohë të dedikuar për të bërë këtë, por e kam ndjekur gjatë sezonit për mënyrën sesi i gjuan penalltitë dhe kam bërë analizën e zakonshme për gjuajtësit e skuadrave kundërshtare.

Sa e vështirë ishte përgatitja e ndeshjes kundër Dinamos? Ishit në një situatë komplekse…

Këto janë ndeshje të rëndësishme dhe kanë vështirësinë e vet. Sa i përket motivimit, nuk është nevoja për dozë shtesë. Ishim të motivuar dhe treguam se kur jemi në presion rezultatesh, dimë si të ngrihemi dhe të tregojmë sesa vlejmë.

Sa i arritshëm bëhet vendi i dytë dhe a mendoni se e keni “blinduar” tashmë praninë në “Final 4”?

Me këtë fitore kundër Dinamos kemi shumë besim, por duhet të kemi vazhdimësi dhe të luajmë në çdo ndeshje me të njëjtin motivim. Ne synojmë dy vendet e para dhe mendoj se kemi cilësinë për të mos e vënë në diskutim çështjen e të qenit apo jo mes skuadrave që do të luajnë në “Final 4”.

Cili ishte lojtari më i rrezikshëm i Dinamos? Ai për të cilin ndoshta duheshin masa shtesë?

Dinamo ka sulm shumë të mirë dhe të tre sulmuesit mendoj se ishin të rrezikshëm, por ne treguam se kur bëhemi të gjithë bashkë, nuk mund të mposhtemi

Luani kundër Tiranës në fundjavë. Çfarë ndjesie keni përballë bardhebluve, ndikuar nga fakti se e keni veshur atë fanellë?

Dihet që ndeshjet derbi janë të bukura dhe duhen shijuar në maksimum. Nuk është se kam ndonjë ndjesi të të them të drejtën. Jam profesionist, mbaj veshur fanellën e Partizanit dhe jam i lumtur që jam pjesë e këtij klub.

Si e prisni këtë ndeshje derbi? Mendoni se Partizani aktualisht është ekip më i mirë se Tirana?

Partizani është ekip kampionësh, me lojtarë me mentalitet të fortë. Mendoj se kemi cilësinë e nevojshme për të dalë me sukses, thjesht duhet të vazhdojmë me të njëjtin ritëm si në ndeshjen e fundit.

Mendoni se në “Final 4” Partizani do të ketë një qasje më agresive?

Ne kemi treguar se në ndeshjet e forta kemi pasur motivimin dhe impenjimin e duhur. Kemi ditur si të reagojmë dhe si të dalim fitimtarë në situata të ndryshme. Dhe sa për “Final 4”, do të jemi të frikshëm në çdo aspekt.

DENIS LALA- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"