Belli rrezikon Bragën, Reali varësi prej tij. Ka shënuar 44.8% të golave të ekipit, të tjerët nuk po e ndihmojnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 7, 2023 | 20:20

Belli rrezikon Bragën, Reali varësi prej tij. Ka shënuar 44.8% të golave të ekipit, të tjerët nuk po e ndihmojnë

Reali i Madridit rrezikon të mos ketë gati për sfidën e nesërme në Ligën e Kampioneve kundër Bragës shërbimet e mesfushorit të vet Xhud Bellingam. Golashënuesi më i mirë në La Liga ka pësuar një dëmtim në shpatull kundër Vajekanos të dielën, edhe pse e mbylli takimin në fund.

bellingam

Sipas mediave spanjolle ai ka pësuar një dislokim të vogël në shpatullën e tij, që e vë në pikëpyetje për ndeshjen kundër Bragës. Gjithsesi në Madrid janë të qetë, sepse nuk bëhet fjalë për një dëmtim të rëndë, por trajner do të vendosë vetëm në fund nëse do ta llogarisë të jetë në fushë apo ta lërë të pushojë deri në ndeshjen e kampionatit të së shtunës kundër Valencias.

Duke marrë parasysh që është një nga lojtarët që numëron më shumë minuta këtë sezon, nuk përjashtohet mundësia që Ançeloti t’i japë pushim. Mungesa e mundshme e Bellingamit mund të sjellë një ndryshim në 4-3-3 kundër Bragës, me Kros, Modriç dhe Kamavinga në mesfushë dhe Valverde, Vinicius dhe Rodrygo në sulm.

VARËSIA NGA ANGLEZI –

Mungesa e Bellingamit në këtë moment nuk është një lajm i mirë për Realin e Madridit. Në këtë nisje të sezonit, anglezi ka qenë lokomotiva e ekipit. Jo më kot në 5 ndeshje që Reali nuk ka fituar në këtë sezon, në tri prej tyre Bellingami nuk ka mundur të shënojë. Me 13 gola dhe tri asiste në 14 takime mes La Ligës dhe Champions-it, anglezi është lojtari më i rëndësishëm për Ançelotin. Por ata që kanë lënë në “baltë” anglezin janë sulmuesit e tjerë, Vinicius, Rodrigo e Hoselu.

Kështu ndodhi dhe me Vajekanon, me gazetën “Marca” që doli me titullin “Pa Bellingamin nuk ka festë”. Shifrat flasin vetë: Tani për tani, anglezi ka shënuar 44.8% të golave të ekipit (13 gola nga 29), raporti më i lartë në historinë e Real Madridit. Rekordin, për një sezon të plotë, e mban Pruden, i cili në sezonin 45- 46 shënoi 30 nga 70 golat e ekipit të tij: 42.86%. Natyrisht që do të jetë gati e pamundur që Bellingami të mbajë këto shifra deri në fund të sezonit. Ndaj të tjerët duhet të lëvizin, këtë e ka thënë dhe Ançeloti. Ai që shqetëson më shumë është Rodrigo, por edhe Valverde që vjet shënonte jo pak, në këtë nisje të sezonit duket larg më të mirit.

PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"