Gashi i jashtëzakonshëm, tjetër dopietë në Zvicër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 1, 2014 | 11:06

Gashi i jashtëzakonshëm, tjetër dopietë në Zvicër

GashiAsnjë si ai. Edhe ky sezon në kampionatin zviceran duket se do të mbetet nën siglën e Shkëlzen Gashit. Sulmuesi sigloi një tjetër dopietë, pas asaj të javës së shkuar, por këtë herë me shumë herë më shumë peshë. Dy golat e tij në transfertë ndaj Zyrihut rezultuan decizivë në fitoren 1-2, duke bërë që kampionët në fuqi të rimarrin të vetëm kryesimin e kampionatit.

Sulmuesi i Kombëtares shqiptare (nuk u grumbullua nga De Biazi në dy ndeshjet e fundit miqësore për arsye teknike) shënoi fillimisht në minutën e 41-të të pjesës së parë. Ishte një krosim nga e majta e sulmit të Bazelit, mbrojtësit e Zyrihut bënë një gafë të pafalshme, pasi nuk arritën ta ndalnin topin, ndërkohë që Gashi, me një nuhatje të jashtëzakonshme edhe nga pas krahëve të mbrojtjes dhe diku afër pikës së bardhë të 11-metërshit, gjuajti me të parën me të majtën, duke mos i lënë mundë- si portierit vendës që ta ndalte topin.

Zhbllokohet sfida, kësisoj edhe miqtë duket se e kanë më të lehtë ta administrojnë takimin. Dopieta – Gjithsesi, ky trepikësh do të ishte tejet i vështirë, kjo natyrisht dhe për faktin se në kahun tjetër kampionët në fuqi kishin Zyrihun, skuadër që në këto tre muaj kampionat ka treguar një formë shumë të mirë. Kështu në minutën e 88-të vendësit arritën t’i barazonin shifrat falë penalltisë së kthyer në gol nga Shikaoui. Dhe atëherë kur po mendohej se ky takim do të mbyllej në barazim, në “gramën e fundit” vjen “koka” e Gashit.

Kronometri shënonte minutën e katër shtesë dhe të fundit të dhënë nga arbitri i katërt: është goditje këndi për miqtë, Zufi kroson dhe Gashi në shtyllë të dytë gjuan me kokë, duke i dhënë kësisoj tri pikë shumë të rëndësishme Bazelit në një transfertë të vështirë. Kjo ishte dopieta e dytë e Shkëlzen Gashit në kampionat (vjet shënoi një dopietë, një tripletë dhe një poker, në total 19 gola) dhe goli i njëmbëdhjetë sezonal. Sakaq, kujtojmë se Gashi ka shënuar edhe një gol në Champions League në fitoren 4-0 ndaj bullgarëve të Ludogorets. Ndërkohë, duhet thënë se edhe pas golave të djeshëm Gashi vijon të kryesojë listën e golashënuesve në kampionatin zviceran, duke lënë pas Berat Sadik e Thunit me 8 gola, Shikaoui (Zyrih) me 7 gola, si dhe Kiumiento (Zyrih) e Shneuvli (Luzern), me nga 6 gola.

Sadiku – Në këtë ndeshje u aktivizua si zëvendësues edhe Taulant Xhaka. Lojtari i Kombëtares shqiptare vuajti një dëmtim gjatë kohëve të fundit, ndaj edhe është kursyer nga trajneri Paolo Soza, por ai u hodh në fushë në pjesën e dytë. Po në këtë fraksion loje rishihet pas 7 muajsh edhe Armando Sadiku. Sulmuesi shqiptar pësoi një dëmtim të rëndë më 10 maj të këtij viti në ndeshjen Zurih-St.Galen (2-2) dhe u detyrua t’i nënshtrohej një ndërhyrjeje kirurgjikale. Vetëm dje ai ka mundur të zbresë në fushë, teksa në minutën e 70-të zëvendësoi Kuimenton. Sakaq, nuk ishte në këtë ndeshje i disponueshëm Burim Kukeli.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"