Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 30, 2014 | 23:50

Bogu kryesoreU bë një vit që është larguar nga futbolli profesionist dhe tani i sheh gjërat paksa më ndryshe, edhe pse mbetet po i njëjti sa i përket mënyrës së sinqertë të të folurit. Është po i njëjti Erjon Bogdani që flet me një pasion të madh për Kombëtaren, aq sa të duket sikur nesër kundër Rumanisë do të luajë sërish ai. Ndryshe nga shumë kolegë të tjerë, që ndonjëherë bien rrezikojnë të bien në depresion pasi largohen nga futbolli i luajtur, Bogdani e ka shijuar këtë vit, sepse ka pasur mundësi t’i kushtojë më shumë kohë familjes. “Nuk kam ndonjë peng kur kthej kohën mbrapa. Mendoj që ia kam dalë mirë, shumë më mirë nga ç’kisha imagjinuar kur shkela për herë të parë në Itali”, thotë rekordmeni për “Panorama Sport”. Në fakt, qëllimi i gazetës ky ishte: ta bënte Bogdanin të rrëfehej në një version tjetër, ndaj edhe motoja e intervistës është “një vit pa futboll”…
Si është të jesh një vit pa futboll?
Jo keq. I kam kushtuar më shumë kohë familjes, por jam marrë edhe me disa punë të miat. Kam qenë i impenjuar edhe nuk e kam ndier shumë mungesën e futbollit.
Për çfarë të merr malli më shumë?
Pak nga të gjitha, por nuk jam nga ata që e ekzagjeroj. Impenjimi me familjen nuk më ka lënë shumë kohë të mendoj për kohën kur luaja futboll… (qesh).
Do të bëheni menaxher, apo trajner?
Trajner. Do të nis kursin për trajner më 2 qershor në Shqipëri. Doja ta nisja këtu në Itali, por ndryshojnë rregullat edhe do të më duhet të pres edhe tetë muaj, ndaj zgjodha Shqipërinë.
Pasi të mbaroni kursin, çfarë do të bëni?
Do të shoh mundësinë të impenjohem në ndonjë klub. Ish-trajneri im, Masimo Fikadenti, më ka telefonuar dhe kërkon që në të ardhmen të më ketë gati si pjesëtar të stafit. Nuk dua të humb asnjë mundësi.
Keni bërë ndonjëherë prova me veten. A e keni imagjinuar ndonjëherë veten si trajner?
Shkoj shpesh të shoh stërvitjet e Napolit, flas aty edhe me Nehramin dhe Xhemajlin, por ndërkohë edhe “studioj” pak. Gjithsesi, mos harroni se unë kam një jetë që luaj… nuk jam fillestar!
E mbani mend ndeshjen tuaj të parë në Serinë A?
Po, pa diskutim që po. Rexhina-Bolonja 1-0. Fituam me një gol të Pirlos nga goditje standarde. Luajta 30 minuta dhe më pas nuk më zinte gjumi natën.
Dikur kishim Bogdanin dhe Taren në Serinë A, sot kemi Canën dhe Berishën. Pse nuk kemi më sulmues kalibri?

Shqipëria ka sulmues të mirë, të mos ua hedhim poshtë vlerat. Sigurisht që të mbërrish në nivele të larta nuk është e lehtë, por nuk kemi sulmues për t’u qarë. Salihi, Kapllani, Balaj, Sadiku dhe Çani kanë potencial.
Cili është kujtimi më i hidhur që keni nga futbolli?
Dëmtimet. Dëmtimin e parë të rëndë e pësova në ndeshjen Rexhina-Lacio në gju. Më kushtëzoi shumë gjëra dhe më vuri në një situatë tejet të vështirë, sepse isha edhe shumë i ri.
Cili është trajneri më i mirë me të cilin keni punuar?
Josip Kuzhe. Ishte një trajner i zoti, por edhe që më kishte ndihmuar shumë. Më ndihmoi të shkoja nga Gençlebirligi te Dinamo e Zagrebit, madje pagoi edhe lekë nga xhepi që unë të shkoja atje. “Ik, se aty ke të ardhme të sigurt”, më tha dhe pati të drejtë. Edhe kur erdhi më pas të drejtonte Shqipërinë kisha një raport special me të. Një tjetër trajner që më ka ndihmuar shumë ka qenë edhe Astrit Hafizi. Më ka dhënë dorën në Kombëtare.
A është e vërtetë që keni qenë ndërmjetës në negociata për të sjellë Antonio Konten si trajner të Shqipërisë?
Po, në vitin 2009. Ai sapo ishte larguar nga Bari dhe nuk ishte fare në piacë. E njihja që kur ishim bashkë te Siena në 2006-ën dhe i thashë se mund t’i propozoja Dukës emrin e tij. U ekzaltua pa masë, sepse për të asokohe ishte një ofertë shumë e mirë. Bisedova edhe me Dukën, por me sa duket nuk ishin kushtet e duhura që ai të vinte.
Me cilin trajner keni pasur marrëdhënien më të vështirë?
Me Brigelin, por ishte më shumë një konflikt artificial. Pasi u zgjidh gjithçka, kaluam shumë mirë.
Cilët kanë qenë mbrojtësit më të vështirë me të cilët jeni përballur?
Gjithnjë ma bëjnë gazetarët këtë pyetje… OK, në vitet e fundit kanë qenë Tiago Silva dhe Nesta. I pari ishte i shpejt dhe shumë i ngjitur. Nuk të shqitej asnjë çast dhe deri në fund të ndeshjes dukej sikur të kishte mbajtur për fyti tërë ndeshjen. Nesta ishte inteligjent dhe shumë i fortë. Kanavaro me Turamin ishin shumë të fortë, por edhe shumë “të pistë”. Të dërrmonin. Samuel ishte shumë i fortë dhe i pagabueshëm taktikisht, ndërsa Jap Stam i pakalueshëm fizikisht. Nuk kishe asnjë shans ta zhbalancojë sadopak fizikisht. Më eksperti ishte Maldini. Dukej sikur të lexonte mendjen në atë që do të bëje…
Po në Kombëtare, cilët ishin mbrojtësit më të fortë?
Nuk na binte rasti të testoheshim si duhet, sepse nuk luanim rëndë mes nesh…
OK, por cilët jepnin më shumë siguri, ose cilët vlerësoni ju më shumë?
Hëm… Rudi Vata ishte shumë i zoti. Geri Çipi për 2-3 vite ka qenë i shkëlqyer. Hasi ishte gjithashtu i zoti. Nuk ishte i fortë, por shumë i zgjuar dhe të lexonte gjithçka. Ishte si Barezi, i punonte shumë truri. Lila është shumë i fortë gjithashtu, por edhe Cana me Mavrajn. Mendoj se këta të fundit përbëjnë një dyshe shumë të mirë.
Në klubet ku keni luajtur, me cilët sulmues jeni kuptuar më mirë?
Me Kallonin te Rexhina dhe me Kiezën te Siena. Më pas përshtatesha mirë edhe me Pelisierin te Kievo, sepse të gjithë këta ishin lojtarë shumë të zgjuar. E dinin se çfarë kërkoja.
Po në Kombëtare?
Me Salihin kuptohesha dhe ndihesha shumë mirë në fushë. Edhe me Kapllanin. Këtu e kam fjalën për sulmuesit, sepse ndër lojtarët që më kuptonte më mirë ishte Skela. Ervini ishte fantastik.
Çfarë ju acaronte më shumë në një ndeshje futbolli?
Nuk di ta them me saktësi, sepse unë jam tip i qetë. Ndoshta fakti kur rrija shumë kohë pa shënuar. Nis të humb besimi në vetvete dhe bëhesh nervoz. Kjo nuk të ndihmon aspak.
Mes Çanit, Sadikut dhe Balës, cili prej tyre ju ngjason më shumë nga karakteristikat?
Mendoj se Çani. Kemi disa të përbashkëta, pas tij është Bala. Jam përpjekur ta kontaktoj Çanin dhe t’i jap zemër të mos dorëzohet, sepse ka kaluar një periudhë të vështirë, por nuk kam mundur, pasi ai e ka telefonin të fikur. Gjithsesi, suksesi i një lojtari nuk matet nga një sezon apo nga sasia e golave, por nga vitet.
Që do të thotë?
Që do të thotë se duhet të mbijetosh sa më gjatë në nivele të larta dhe të mos dorëzohesh për aq kohë sa ke gjithnjë mundësi teorike dhe praktike për të arritur një objektiv.
Cili është futbollisti më i talentuar me të cilin jeni përballur ndonjëherë?
Zinedin Zidan. Ishte i jashtëzakonshëm në mënyrën se si luante. Shumë i thjeshtë, shumë i talentuar dhe shumë i fortë. Më kanë pëlqyer gjithashtu edhe Toti me Rui Kostën. Shumë klas…
Po në ekipin kombëtar kush ju bënte më shumë përshtypje?
Skela!
E mbani mend sa trajnerë keni shkarkuar me golat tuaj?
Po, dy trajnerë.
Cilët janë?
Del Neri, kur drejtonte Palermon dhe unë luaja me Sienën. Shënova tre gola në një ndeshje dhe fituam 3-0. Atë e shkarkuan pas asaj humbjeje.
Po tjetri kush është?
Zakeroni kur ishte trajner i Torinos. Luaja me Kievon dhe shënova golin e fitores. Më pas e shkarkuan. Nuk ishte ndjesi e mirë, më besoni. Nuk më pëlqenin as gazetat që ma “faturonin” gjithçka mua, edhe pse në fakt ishin elozhe për punën që kisha bërë.
Cili është formacioni ideal sipas jush i Kombëtares nëse do të përzgjidhnit mes të gjithë lojtarëve me të cilët keni luajtur?
(Mendohet)… Oh, ç’pyetje! Nuk i jap dot përgjigje, sepse do të lija shumë emra jashtë. Lërë fare…
A ka pasur klane në Kombëtare?
Klane në ç’kuptim?
Në sensin që një grup lojtarësh të ndikonin shumë te trajneri dhe të influenconin edhe te formacioni…
Po, ka pasur.
Në cilën periudhë?
Në kohën kur unë jam bërë pjesë e Kombëtares ka pasur grupime të tilla dhe vazhduan edhe për ca kohë.
Për sa kohë?
OK, le të themi se 7 apo 8 vitet e fundit nuk ka pasur më klane në përfaqësuese, apo grupime lojtarësh që kishin influencë të tillë. Skuadra ishte më harmonike.
Çdo të thotë të kesh djalin e Moxhit menaxher?
Ai ishte shumë i aftë dhe unë gjithnjë i kam qëndruar besnik. Besojeni apo jo, por në kohën kur babai i Alesandros, Luçiano, u penalizua prej “Calciopoli”-t, unë dhe dy lojtarë të tjerë ishim të vetmit që i qëndruam besnik. E kam shumë mik dhe i jam mirënjohës për korrektësinë që ka pasur ndaj meje.
A do t’i këshillonit një ditë atij ndonjë futbollist shqiptar që ta ndihmonte të sistemohej në ndonjë ekip cilësor?
Patjetër që po. E kam menduar shpesh dhe kam aq miqësi sa edhe ta bind të ma bëjë si nder.
JETMIR HALILAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"