Vllaznia, Martini zgjedh ekip sulmues. Ndaj Egnatias do të ketë katër lojtarë me tipare ofensive

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 14, 2026 | 8:58

Vllaznia, Martini zgjedh ekip sulmues. Ndaj Egnatias do të ketë katër lojtarë me tipare ofensive

Skuadra e Vllaznisë po përgatitet të zbresë në fushë këtë mesjavë për javën e 19-të të Superiores, në një duel shumë të rëndësishëm ndaj Egnatias.HJKKjo përballje hap fazën e tretë të kampionatit dhe njëkohësisht është ndeshja e parë e Superiores për vitin 2026, duke i dhënë edhe më shumë peshë sfidës. Për kuqeblutë e Shkodrës, takimi ndaj rrogozhinasve është vendimtar, pasi objektivi mbetet rikthimi në garë për vendin e parë. Stafi teknik pritet të bëjë ndryshime të ndjeshme në formacion, krahasuar me ndeshjen e Kupës ndaj Pogradecit, duke hedhur në fushë një 11-she më konkurruese.

Në portë, pritet rikthimi i titullarit Pohls, i cili do të marrë vendin e Jukajt. Në repartin e mbrojtjes, trajneri duket se do t’u besojë “të zakonshmëve”, me Gurishtën, Gjinin dhe Bajramin që pritet të jenë nga minuta e parë, megjithatë nuk përjashtohet as ndonjë surprizë, me Çelikovic që mund ta nisë si titullar. Mesfusha shihet si një nga pikat më të forta të Vllaznisë për këtë ndeshje. Krymi, Qato dhe Kallaku pritet të formojnë treshen qendrore, një kombinim force dhe klasi që synon të kontrollojë lojën. Nga krahët, në të djathtë pritet të aktivizohet Kastrati, ndërsa në të majtë Jago, për t’i dhënë skuadrës shpejtësi dhe thellësi. Në repartin ofensiv, Balaj do të jetë pika kryesore e referimit në sulm, me mbështetjen e Malës, i cili ka shumë gjasa ta nisë takimin nga minuta e parë. Me këtë formacion dhe me motivimin për të nisur mbarë vitin e ri, Vllaznia synon të marrë maksimumin ndaj Egnatias dhe të dërgojë një sinjal të fortë në garën për kreun e Superiores.SDGFKONFERENCA – Vllaznia nuk ka dalë në konferencë për shtyp përpara ndeshjes së rëndësishme ndaj Egnatias, një vendim që tashmë nuk përbën më surprizë. Ky është një fenomen që po përsëritet prej disa herësh te shkodranët, të cilët para takimeve vendimtare kanë zgjedhur rrugën e heshtjes. Në prag të një ndeshjeje kaq të fortë dhe përcaktuese për ecurinë e skuadrës, klubi ka preferuar të mos bëjë asnjë deklaratë publike, duke lënë gjithçka të mbetet sekret. Një strategji e menduar, që synon të shmangë presionin mediatik dhe emocional mbi lojtarët dhe stafin teknik. Heshtja, në këtë rast, duket se është përdorur si mjet mbrojtës.

Pa deklarata, pa premtime dhe pa justifikime, Vllaznia kërkon që përgjigjen ta japë vetëm në fushën e lojës. Një zgjedhje që mund të lexohet si përpjekje për të ruajtur qetësinë dhe fokusin maksimal në një moment delikat të sezonit. Megjithatë, kjo mënyrë veprimi ngre edhe pikëpyetje, sidomos për tifozët dhe opinionin sportiv, të cilët presin më shumë transparencë dhe komunikim para përballjeve të tilla. A do të rezultojë heshtja një armë e fortë apo një mungesë e panevojshme zëri? Përgjigjja, si gjithmonë, do të vijë nga 90 minutat në fushë.

ENDRI ÇINARI-PANORAMASPORT.AL