Sfida me Tiranën, Përgjoni: Do të jetë viti im dhe i Ballshit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 23, 2025 | 9:11

Sfida me Tiranën, Përgjoni: Do të jetë viti im dhe i Ballshit

Bylisi vijon të spikatë si skuadra që afron dhe promovon lojtarë të rinj, si vendas ashtu edhe të huaj, duke u dhënë mundësinë të tregojnë vlerat e tyre.

arli pergjoni

Një nga emrat më premtues është mesfushori 23-vjeçar Arli Përgjoni, i cili pas një sezoni në Ballsh është shndërruar në një nga liderët e ekipit. Në prag të ndeshjes hapëse ndaj Tiranës, ai foli për “Panorama Sport” mbi pritshmëritë e sezonit të ri.

Përgjoni, mbyllët një sezon në Ballsh dhe sot nis viti i dytë me Bylisin. Si e vlerësoni eksperiencën tuaj?

E kam thënë që jam ambientuar shumë shpejt në Ballsh, si me ambientin ashtu edhe me klubin. Luajta titullar, u përshtata dhe mendoj se kam bërë mirë. Ka qenë pozitive për të dyja palët, si për mua ashtu edhe për Bylisin. Tani do të angazhohem për të dhënë edhe më shumë, madje jo vetëm unë, por edhe i gjithë ekipi.

Ndeshja e parë është me Tiranën në shtëpi. Çfarë do të kërkojë Bylisi?

Luajmë një ndeshje të rëndësishme, por në fakt çdo përballje në këtë kampionat është e tillë, sepse gara ka konkurrencë të fortë. Kam besim se do ta kalojmë me sukses këtë duel, natyrisht duke ditur forcën e skuadrës sonë dhe punën që kemi bërë, por gjithmonë pa nënvlerësuar kundërshtarin.

Ky është viti i dytë për ju në Ballsh. Është më i fortë ky Bylis se ai i sezonit të kaluar?

Po, vjet bëmë një sezon shumë të mirë. Skuadra u ndërtua nga e para dhe erdhi duke u përmirësuar javë pas jave. Edhe këtë sezon kam besim se Bylisi do të jetë më i fortë, më simpatik dhe më harmonik, sepse është ruajtur grupi dhe, për më tepër, jemi disa hapa para krahasuar me vitin e kaluar. Kështu që, me kaq fakte por, besoj se do të shihni një tjetër Bylis këtë vit.

Përgjoni, çfarë synoni në aspektin personal këtë sezon?

Kemi punuar shumë gjatë verës. Personalisht jam në kulmin e karrierës dhe dua që në Ballsh të lë gjurmë. Synimi im është të ndihmoj skuadrën, të shpërthej dhe të shënoj gola, që ekipi të realizojë objektivat tona. Ndërsa ëndrra ime mbetet të kap Kombëtaren dhe të bëhem pjesë e qëndrueshme e saj. Ballshi është trampolina ime dhe kam bindjen se ky do të jetë viti im dhe i Bylisit.

ERJON SALIU-PANORAMASPORT.AL